
Cështja “Kleçka” do të përmbyllet në muajin shtator, kur edhe pritet vendimi i trupit gjykues, për lirimin ose jo të të akuzuarve Fatmir Limaj dhe bashkëluftëtarëve të tij.
Gjatë së mërkurës është mbajtur seanca e radhës ku ishte parashikuar të dëshmojë dëshmitari i propozuar nga mbrojtja. Por kjo nuk ka ndodhur, pasi avokatët kanë hequr dorë nga kjo kërkesë, njofton ‘Ekspress Online’. Për këtë arsye seanca ka vazhduar me disa çështje teknike ndër të cilat u fol edhe për raportin psikologjik të të ndjerit Agim Zogaj, mundësinë e dhënies së dëshmive të dy zyrtarëve të forensikës që kanë bërë autopsinë e trupave të zhvarrosur si dhe mundësia e heqjes së masës së arrestit shtëpiak të të pandehurve në rastin “Kleçka”.
Trupi gjykues ka propozuar që të dëgjojë dëshminë e Sesilia Kropa, arkeologe e forensikës e cila ka qenë pjesëmarrëse në zhvarrosjen e mbetjeve mortore, si dhe dëshminë e patologut Marek Gasior, i cili ka bërë raportet e autopsisë së këtyre trupave që janë zhvarrosur.
“Plani është që ai të dorëzojë një raport për autopsinë dhe për të kemi pyetje shumë të shkurtra”, ka thënë Simons, kryetar i trupit gjykues. Prokurori Mauricio Salustro ka kërkuar që të dorëzohet edhe një raport shtesë i vlerësimeve psikiatrike si pjesë e provave të cilin do t’ia bashkëngjitin raportit të vjetër e t’ia dorëzojnë mbrojtjes.
Mirëpo kjo gjë nuk është pranuar nga mbrojtja e të pandehurve. Fatmir Limaj ka kërkuar që nëse kjo gjë pranohet nga trupi gjykues, atëherë edhe psikiatri që e ka bërë raportin e parë të të ndjerit duhet të dëgjohet duke dhënë dëshminë para gjykatës.
Top Channel