Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski i ka dërguar një letër homologut të tij grek, Andonis Samaras, të cilin e ka ftuar për një takim brenda kësaj jave, për të biseduar për tejkalimin e dallimeve rreth problemit bilateral të emrit.
Siç shkruan e përditshmja maqedonase “Dnevnik”, Gruevski përmes letrës i ka propozuar homologut grek formimin e ekipeve të ekspertëve nën udhëheqjen e kryeministrave të të dyja vendeve.
Kështu do të bisedohej drejtpërdrejt për zgjidhjen e problemit 20-vjeçar, që është bërë pengesë kryesore për përparimin e Shkupit në proceset e integrimit euro-atlantik.
Më tej në letër, kryeministri maqedonas ka kërkuar nga qeveria greke mbështetje për fillimin e negociatave aderuese me Bashkimin Evropian.
Sipas Gruevskit, Maqedonia fillimisht duhet të marrë datën për çeljen e negociatave dhe pastaj me forcimin e raporteve mes Shkupit dhe Athinës të gjendet edhe kompromisi për emrin.
Një nga propozimet e bëra nga kryeministri maqedonas është që edhe këto bisedime të zhvillohen nën mbikëqyrjen e ndërmjetësit të OKB-së në çështjen e emrit, Metju Nimiç.
Top Channel