AMA shkel rëndë ligjin

03/07/2013 19:45

Me strukturë të cunguar dhe në mungesë të pothuajse gjysmës së anëtarëve, Autoriteti i Mediave Audiovizive ka deklaruar hapjen e procedurave për praktiken e përcaktimit të operatorëve strategjikë dhe historikë.

Bëhet fjalë për atë që në gjuhën teknike quhet ‘Beaty Contest’, që do të thotë hapja e proçedurave për liçencimin e rrjeteve numerike kombëtare. Por kjo procedurë në ligjin e ri të medias kërkon shumicë të cilësuar prej 5 votash nga një përbërje prej 7 anëtarësh të ish-KKRT-së, që tani njihet si AMA.

Prej disa muajsh, ky institucion ka të ligjshëm vetëm katër anëtarë, ndërsa anëtarit të pestë, Gent Ibrahimit i ka përfunduar mandati përpara se ligji i ri të hynte në fuqi.

Bazuar nga kjo pamundësi ligjore e AMA-s, dy relatorët e ligjit të ri të medias, ish-deputeti demokrat Mark Marku dhe ai socialist Alfred Dalipi kundërshtojnë si një cënim të rëndë të ligjit këtë proçedurë të nisur.

“Një prej anëtarëve, në momentin që i ka skaduar afati nuk futet as tek dispozitat kalimtare. Është e qartë që kërkohen pesë vota”, deklaron Marku.

“Kjo është një procedurë licencimi, që ka të nevojshme këto 5 numra. Aktualisht KKRT-ja është me 4 anëtarë. Çdo iniciativë e kryetares konsiderohet jo e ligjshme”, nënvizon Dalipi.

Dy relatorët e ligjit shtojnë se nuk ka asnjë ngutje ligjore që kjo procedurë të bëhet nga një institucion i cunguar. “Ta ndërpresim proçedurën që të mblidhet Parlamenti, të nisin diskutimet në entet rregullatore dhe pastaj të fillojë liçencimi”, sugjeron Marku.

“Po flasim për linçenca me ligjshmëri 15-vjeçare. Kjo bëhet me një KKRT të cunguar dhe me një veprimtari që bie ndesh me ligjin”, vijon Dalipi.

Por nxitimi i pakuptueshëm i drejtueses së Autoritetit të Medias Audiovizive, Endira Bushati shkon edhe më tej. Ajo nuk ka konsultuar me anëtarët e AMA-s vërejtjet dhe sugjerimet e operatorëve si palë të interesuara. Njëri prej tyre, Zylyftar Bregu pohon se nuk është konsultuar me letrën që Top Channel i ka dërguar AMA-s.

“Më kujtohet që kryetarja e AMA-s përmendi një letër të ardhur nga Top Media, por asnjë prej anëtarëve nuk është njohur me përmbajtjen e letrës dhe ajo nuk është dërguar në rend të ditës për t’u diskutuar”, thotë Bregu.

Top Channel, sikundër edhe operatorë të tjerë ka shfaqur rezerva për procedurën që po ndiqet, duke nënvizuar se në kundërshtim me ligjin, nenin 48 të tij, projekt/rregullorja jo vetëm që nuk është publikuar në faqen e internetit të ish-KKRT-së, tani AMA, por edhe vetë grupeve të interesit nuk i është dhënë koha prej të paktën 30 ditëve për t’u njohur me të.

Përveç vërejtjeve dhe sugjerimeve konkrete që kanë të bëjnë me teknologjinë dhe aspekte të tjera teknike të procesit, Top Channel ka kritikuar keqpërdorimin që i është bërë marrëveshjes së Gjenevës, ku është bazuar edhe kjo rregullore, keqpërdorim që ka lënë hapësira të mëdha për abuzim dhe vendime arbitrare.

Por, asnjë nga sugjerimet, qoftë ato që kanë të bëjnë me proçedurën, qoftë ato që kanë të bëjnë me proçesin teknik, jo vetëm që nuk janë marrë parasysh, por nuk u janë vënë në dispozicion për njohuri edhe atyre anëtarëve të mbetur të AMA-s, duke e kompromentuar rëndë këtë vendimmarrje kaq të rëndësishme të kryetares së këtij institucioni.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA