Dhënia e dritës së gjelbër për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së pritet të ketë ndikimin e saj në ekonominë e vendit.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duke folur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik ka thënë se suksesi në zbatimin e saj do të reflektojë në disa aspekte ekonomike.

“Marrëveshja si e tillë, përveç çështjeve politike, përfshin edhe ato ekonomike, pra çështjet rreth zhvillimit ekonomik dhe tregtisë. Prandaj, suksesi në implementimin e kësaj marrëveshjeje do të reflektohet në ngritjen e cilësisë dhe sigurisë së mjedisit afarist për të gjithë investitorët, qofshin vendorë, qofshin të huaj”, ka deklaruar Thaçi.

“Po ashtu, ky sukses do të reflektohet në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm. Dhe, siç e dimë të gjithë, këto dy të fundit do të kenë ndikim pozitiv në mirëqenien sociale dhe materiale të qytetarëve të Kosovës”, ka theksuar ai.

Kryeministri Thaçi duke iu referuar raporteve të Bankës Botërore ka shtuar se gjatë vitit 2012 ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej rreth 3.9%, që është shumë më e lartë sesa ajo e vendeve të rajonit dhe kjo pritet të ndodhë sërish.

Top Channel