Rusmajli fajëson lidershipin e PD

02/07/2013 19:30

Ilir Rusmaili, i cili ende ka mandatin e deputetit të Partisë Demokratike, por që në listën e kandidatëve për zgjedhjet e 23 qershorit u rendit në zonën e rrezikut dhe që për këtë shkak refuzoi të ishte pjesë e fushatës, kundërshton procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri.

Në një intervistë për “Radio Europa e Lirë”, ai thotë se më parë nevojitet një analizë për humbjen “tronditëse të zgjedhjeve të 23 qershorit”.

“Ju flisni për zgjedhjen e kryetarit të ri ndërkohë që demokratët ende nuk kanë marrë veten nga humbja tronditëse e zgjedhjeve politike. Ende nuk ka një përgjigje të saktë, të besueshme dhe të gjithëpranuar për shkaqet e humbjes dhe nëse përkthej saktë fjalët e kryetarit Berisha në mbledhjen e kryesisë, me të cilën nisën procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri, nuk pritet që kjo të ndodhë deri në përfundim të procesit. Analizën e zgjedhjeve do ta bëjë kryetari i ri dhe forumet që do të përzgjedhë ai, pas zgjedhjes së tyre, gjithnjë nëse ata do ta shohin të arsyeshme të merren me këtë punë”, deklaroi Rusmaili.

“Berisha e konsideroi zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë si fillimin e ri për partinë, si fillimin e kthesës, si fillimin e fitores. Por, fakti që analiza e humbjes nuk po i paraprin procesit bën që zgjedhja e kryetarit të mos bëhet dot nga fillimi, kapitulli i parë i fitores, por të ngelet kapitulli i fundit i humbjes, gjë që e bën gjithë procesin të panatyrshëm dhe joracional”, vijoi ai.

I pyetur se çfarë ndodh nëse përpara zgjedhjes së kryetarit nuk bëhet analiza e humbjes, Rusmaili përgjigjet: ”Në qoftë se nuk ndiqet radha dhe nuk nxjerrim mësime nga humbja tronditëse, atëherë rrezikojmë që zgjidhja që do i ofrojmë demokratëve dhe shqiptarëve në fund të procesit të jetë saktësisht e kundërta e asaj që presin ata. Nëse ata presin drejtimin e ri, ne mund t’u ofrojmë një drejtim akoma më të vjetër. Nëse ata presin liderin e panjollë, ne mund t’u dhurojmë liderin e përlyer. Nëse ata presin udhëheqësin e fortë, karizmatik, largpamës, të pavarur, të vendosur e energjik, ne mund t’u ofrojmë udhëheqësin kukull, pa shpirt, pa vizion, pa autoritet e anemik”.

“Por, jo vetëm kaq. Unë kam frikë se nxitimi për të përmbyllur me shpejtësi procesin rrezikon ta dështojë vetë atë”, vazhdoi Rusmaili. “Procesi rrezikon të bëhet formal, i paracaktuar, pa konkurrencë reale autoritetesh dhe vlerash, fals e teatral. Procesi rrezikon të përcillet me mosbesim e indiferencë nga demokratët dhe shqiptarët, për pasojë, të mos i bindë ata. Pasoja, nëse ndodh kështu është shkatërrimtare. Vetëm se kjo nuk ka për t’u vënë re tani. Do të vihet re në zgjedhjet e radhës për pushtetin lokal dhe akoma më shumë në zgjedhjet e ardhshme politike. Humbësi i parë i këtij nxitimi dhe kësaj mendjelehtësie, pa dyshim që do jetë, kryetari i ri i partisë. Përfituesi më i madh prej tij do jetë pa dyshim kundërshtari ynë politik”.

Ndërkaq, sipas analizës së Ilir Rusmailit arsyet e vërteta të humbjes se demokrateve ishin këto: “Kryetari i Partisë, kryeministri i vendit, e prezantoi fushatën si betejën e tij personale. Fitorja dhe humbja këtë herë mund të kishin vetëm një emër, emrin e tij. i gjithë lidershipi i PD-së pranoi me kënaqësi të zhdukej nga faqja e dheut, të zhbëhej, të vihej në bisht. E vunë re shqiptarët, e vuri re dhe media. Kjo nuk është platformë, nuk është program. Kjo është mënyrë sjellje, që nuk është çudi të jetë etiketuar nga votuesit si arrogante.
Kryetari i partisë vetë, pa ndihmën dhe as kundërshtimin e kurrkujt hartoi listat e kandidatëve jashtë çdo lloj parimësie dhe justifikimi moral, politik dhe ligjor. Futi në listat e PD-së eksponentë të spikatur apo tejet agresiv të së majtës dhe u kërkoi demokratëve të votonin në mënyrë të kundërnatyrshme për ta, futi në lista pa pasur fare nevojë kryetarët e partive të tjera dhe u kërkoi demokratëve t’i mirëprisnin ata sikur të ishin demokratë. Këto veprime mesa duket u lexuan menjëherë nga demokratët si veprime qe i hiqnin PD-së së paku 100 mijë vota. Edhe kjo ishte sjellje, jo platformë apo program. Së fundi, mbushi pjesën tjetër të listave vetëm në bazë të një kriteri: të klientelizmit. Këtu nuk po ndalem gjatë, se bëj pjesë tek të pakënaqurit dhe do më quajnë në konflikt interesi. Por, ama duhet të theksoj se edhe kjo sjellje u interpretua qartazi dhe gjerësisht si arrogante”.

“Sjellja e fundit që unë kam mundur të identifikoj është fakti se, që në fushatë dhe jashtë çdo lloj konteksti, kryetari i partisë dhe media rreth tij u përpoq të profilizonte trashëgimtarin që kryetari kishte caktuar për demokratët. Me këto zgjedhje demokratët po lidhnin pazgjidhshmërisht jo vetëm qeverisjen, por edhe fatin e tyre politik. Edhe pse mund të duket cinike, demokratët dukeshin të lënë pa alternativa dhe pa mundësi zgjedhjeje. Edhe kjo është jashtë çdo lloj dyshimi sjellje që është përcjellë si arrogante. Që të mos ta zgjas shumë, nëse opinionistët thonë është arroganca, atëherë arroganca duhet kërkuar tek gjestet. Nëse demokratët na kanë votuar kundër, atëherë, gjeste arrogante janë ato që kanë zemëruar demokratët”, përmbylli Rusmaili.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA