Turi i falenderimeve të Partisë Socialiste, këtë herë u ndal në kryeqytet. Nga amfiteatri i Liqenit, Edi Rama i drejtoi një falenderim të gjithë atyre, që mundësuan fitoren e PS dhe aleatëve më 23 qershor.

Me fjalët se, Shqipëria është shumë e vogël për t’u ndarë në “ne dhe ata”, Rama siguroi të gjithë punonjësit e administratës, që kanë fituar postin me meritë, se askush nuk do të preket, pasi, sipas tij, të majtët do të qeverisin për të gjithë shqiptarët.

Edhe pse tashmë jo më në fushatë, Edi Rama iu rikthye premtimit të tij për legalizimin e banesave.

“Ne nuk jemi më në fushatë elektorale, prandaj unë ndihem edhe më i lehtësuar që t’iu them të gjithë atyre që presin të legalizojnë shtëpitë e tyre se janë cliruar dhe kanë shpëtuar nga kthetrat e një partie që i mbajti për vite të tëra me shpresën e legalizimit dhe i la të palegalizuar, vetëm e vetëm që t’ia merrte votën më lehtë, duke iu paraqitur si e vetmja mundësi që kishin. Sot ata kanë një mundësi të re, shumëkush prej tyre nuk e kanë menduar kurrë se kjo mundësi e re është Partia Socialiste, por ne në fund të mandatit tonë të parë, do të jemi krenarë përpara tyre sepse gjithkush në zonat informale, që ka ndërtuar një shtëpi, do ta ketë atë pronë të vetën të patundshme, të regjistruar në hipotekë”, tha Rama.

Teksa ka falenderuar të gjitha njësitë bashkiake me radhë, kyreministri i ardhshëm është ndalur më gjatë te Njësia 8.

“Nuk dua që të bëj klasifikim, por dua ta filloj nga njësia 8, sepse ajo njësoj si Shkodra, si Kavaja dhe disa pika të tjera të Shqipërisë, rrëzoi me votën e parë të lirë presidentin e Partisë së Punës dhe me votën e lirë të 23 qershorit të mbeturin nga Partia e Punës”, shtoi Rama.

Edi Rama nuk ka kursyer as batutat për Pandeli Majkon, udhëheqësin e listës së PS për Qarkun e Tiranës, duke e cilësuar atë si kapiten.

“Erdhi në fund dhe ishte pak si ata lojtarët e huaj që marrin shiritin dhe lojtarët e tjerë të skuadrës thonë: a do ta bëjë dot tamam kapitenin apo jo. Por, ai tregoi se jo vetëm mund ta bëjë, por e bëri në mënyrë të shkëlqyer, si Zanetti tek Interi”, u shpreh Rama.

E në fund të fjalës së tij, Edi Rama, për të treguar bashkëpunimin e frytshëm me LSI, deklaroi dhe bashkimin e dy sloganeve.

“Sepse kemi bashkuar dhe sloganin. Shqipëria duhet të rilindë, prandaj dhe duhet të ecë më shpejt”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA