Kolumbi, rebelët në negociata unifikimi

02/07/2013 00:00

Dy grupet më të mëdha të armatosura në Kolumbi, FARC dhe ELN, janë takuar për të përshpejtuar procesin e unifikimit.

Në një deklaratë për shtyp, FARC deklaron se, “incidentet që çuan në përplasjen mes dy grupeve janë tejkaluar”. Zhvillimet vijnë pak kohë pasi liderët e FARC rifilluan negociatat e paqes me qeverinë kolumbiane në Kubë.

Ata po diskutojnë se si njësia paraushtarake mund të hyjë në politikë, nëse arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit që zgjat prej dekadash.

Sipas komunikatës së FARK, takimi me krerët e ELN, në një lokalitet sekret, shërbeu për të diskutuar mbi nevojën e unifikimit të të gjitha forcave të përfshira në ndryshimin e vendit.

Dy grupet janë përplasur ashpër në të kaluarën, por së fundmi kanë bashkuar forcat në operacione të armatosura kundër objektivave qeveritarë në Kolumbi.

ELN, grupi i dytë më i madh rebel në Kolumbi, nuk është pjesë e bisedimeve të paqes në Kubë, por liderët e tij kanë bërë të qartë se do të dëshironin të përfshiheshin.

Bisedimet mes qeverisë kolumbiane dhe FARC rifilluan të hënën në Havana, duke u fokusuar në çështjen e dytë kyçe të axhendës: si të futet grupi rebel në politikë pasi të jetë arritur marrëveshja e paqes.

Top Channel