Edhe një diplomat i huaj thekson lëvizjen përpara të Kosovës drejt Bashkimit Europian pas arritjes së marrëveshjes me Serbinë.

Ministri i jashtëm i Suedisë, Carl Bildt, qëndroi të martën në kryeqytetin kosovar. Ai u prit në takime të veçanta nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ministra të kabinetit qeveritar si dhe nga kryetarët e subjekteve politike opozitare.

“Falenderime dhe mirënjohje të thella për ju si kryeministër dhe për Kosovën për dy arritje shumë të mëdha gjatë javëve dhe muajve të fundit. Edhe pse keni shumë çështje të zbatimit përpara jush, jam absolutisht i bindur për punën tuaj. Po ashtu edhe për Beogradin. Me fillimin e marrëdhënieve kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së po lëvizim përpara drejt integrimit evropian”, tha Bildt.

I nxitur nga pyetjet e gazetarëve, shefi i diplomacisë suedeze u shpreh i rezervuar të komentojë mbi punën e ish-ambasadorit kosovar në Suedi, Lulzim Peci, i cili nuk pranoi të vazhdonte këtë mision edhe në Beograd.

Edhe pas takimit me ministrin e jashtëm të Suedisë, shefi i ekzekutivit kosovar rikonfirmoi angazhimin e qeverisë së tij drejt zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit. Ai kujtoi se takimi i radhës me homolugn e tij Ivica Daçiç zhvillohet më 8 korrik në Bruksel: “Duhet diskutuar çështja e komunikacionit dhe energjisë.”

Shefi i diplomacisë suedeze inkurajoi autoritetet kosovare që të vazhdojnë me plotësimin e kritereve për të fituar liberalizimin e vizave. Marrëveshja Kosovë-Serbi, zbatimi i saj, por edhe heqja e vizave ishin tema diskutimi edhe në takimin e e ministrit të jashtëm të Suedisë me kryetarët e partive opozitare, Isa Mustafën, Ramush Haradinajn dhe Albin Kurtin.

Top Channel