
Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka postuar një mesazh në faqen e tij në Facebook për të gjithë drejtuesit e Partisë Demokratike, nga kryetarë seksioni deri në anëtarë të kryesisë së PD-së dhe për të gjithë anëtarët që punojnë ose mbajnë funksione drejtuese në të gjitha nivelet e qeverisjes qendrore ose vendore.
“Gara për kryetarin e PD-së nisi sot me shpalljen e kandidaturës së parë”, shkruan Berisha. Sipas tij, ajo është e hapur për çdo anëtar dhe anëtare të PD-së që dëshiron të konkurrojë për lider të Partisë Demokratike.
Ditën e enjte, kryesia e PD-së do të mblidhet për vlerësimin dhe shprehjen e mbështetjes së saj për kandidatin apo kandidaturat që mendon se meritojnë të mbështeten prej saj zyrtarisht. Por, sipas Berishës, nuk do pengohet akush që të jetë pjesë e garës edhe pse nuk merr mbështetjen e kryesisë. Ai sqaron se nuk ka bërë asnjë rekomandim për ndonjë person të veçantë për të qenë pasardhës i tij në PD.
“Unë dhashë dorëheqjen nga detyra e kryetarit të PD-së dhe nuk bëra asnjë rekomandim për person të veçantë për zëvendësimin tim. Po kështu, me kryesinë e PD-së vendosëm që në zgjedhjen e kryetarit të ri, pushteti të kalojë tërësisht tek anetarët e PD-së dhe vota e tyre duke mos bërë asnjë rekomandim për asnjë person të veçantë, por dhe duke mos penguar asnjeri të marrë pjesë në këtë garë”, thekson Berisha.
Ai shton më tej se në respekt të pushtetit të votës së çdo anëtari të PD-së, kërkon që askush të mos përdorë pushtetin partiak, publik, administrativ që ka në mbështetje apo lobim të një kandidati të veçantë: “Asnjë drejtues në asnjë nivel partiak apo qeverisës të mos prononcohet publikisht apo jo publikisht për shkak të postit që ka në mbështetje të një kandidati të caktuar. Në këtë proces çdonjëri prej nesh ka vetëm një votë. Por, çdo drejtues në çdo nivel partiak apo në qeverisje ka të drejtë të lobojë publikisht për kandidatin e preferuar ose të bashkohet me stafin e tij vetëm pasi ai ose ajo të ketë dhënë dorëheqjen nga funksioni partiak apo publik qeverisës që mban”, përfundon udhëzimi i Berishës për strukturat e PD-së.
Ndërkohë, nga burime të besueshme të Top Channel, mësohet se kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, pritet ta shpallë nesër kandidaturën e tij për garën e kreut të Partisë Demokratike.
Top Channel