
Zërave për anulimin e rritjes së pagave dhe pensioneve u është përgjigjur kryeministri Sali Berisha.
Në një postim të shkurtër në Facebook, Berisha thotë se ato do të rriten. “Të dashur miq, rrogat dhe pensionet do të rriten. Ne mbajmë premtimet tona!”, shkruan Berisha.
Edhe Ministria e Financave ka konfirmuar dicka të tillë. “Rritja e pagave do të ndodhë ashtu sic është parashikuar në buxhet dhe do të hyjë në fuqi më 15 korrik”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Por kriza e rënduar e financave publike e ka detyruar Ministrinë e Financave të përgatisë me shpejtësi një vendim për të frenuar shpenzimet e buxhetit. Drafti i bërë gati nga ekspertët ndalon çdo prokurim të ri publik për investime dhe ngrin shpenzimet për dieta e udhëtime të administratës.
Një ditë më parë, Top Channel publikoi lajmin për kufizimin e shpenzimeve në mes të vitit buxhetor i shndërruar në një traditë për financat publike që pas vitit 2009. Por këtë herë situata paraqitet më e rënduar.
Burime nga Financat thanë për Top Channel se është e domosdoshme që urdhëri për kufizimin e shpenzimeve të kalojë sa më parë në qeveri për të marrë formën ligjore, pasi çdo ditë që kalon financat e shtetit përkeqësohen më shumë deri në pamundësi për të shlyer detyrimet emergjente.
Për pesë muajt e parë të vitit, qeveria harxhoi 80 përqind të gjithë kufirit vjetor të huamarrjes së brendshme, ndërkohë që në qershor shifra është rritur edhe më shumë.
Për shkak të kësaj situate, Thesari ka filluar të mos shlyejë faturat, madje tani edhe ato që janë pranuar zyrtarisht. Sipas burimeve nga Financat, vetëm këto muajt e fundit janë krijuar 2 miliardë lekë detyrime të pashlyera ndaj bizneseve, që kanë kryer punë publike gjatë muajve të fundit.
Këto janë fatura të njohura zyrtarisht dhe të pranuara në Thesarin e Shtetit, veç malit të borxheve të prapambetura, deri në 200 milionë euro, që është grumbulluar gjatë viteve të fundit.
Rëndimi i situatës financiare të qeverisë është edhe më i pamenaxhueshëm tani. Pas humbjes së zgjedhjeve, qeveria e rënë nuk e ka më mandatin për të ndërhyrë në buxhet. Gjasat janë që rishikimi i detyrueshëm i buxhetit të ndodhë në muajin tetor nga qeveria e re.
Por me të ardhurat në rënie dyshifrore dhe borxhin ligjor gati të shteruar 100 përqind, rreziku kryesor deri në formimin e qeverisë së re nuk është më vetëm borxhi i keq ndaj biznesit, por edhe aftësia e qeverisë për të paguar në kohë pensionet dhe rrogat e administratës.
Top Channel