Në 23-vjetorin e Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990, zyrtarët shtetëror dhe liderë të partive politike e kanë vlerësuar këtë ngjarje si akt të guximshëm qytetar dhe patriotik, për kohën kur Kosova nuk pranonte degradimin kushtetues, ndrydhjen e lirive dhe të drejtave, si dhe mënjanimin e shqiptarëve nga jeta institucionale.
Në deklaratën për shtyp të kryeministrit kosovar thuhet se, në atë kohë delegatët e Kuvendit të Kosovës ndërmorën një akt të rëndësishëm, ku shprehej vullneti i popullit për liri dhe mëvetësi politike e juridike nga pushtimi jugosllav dhe serb njëkohësisht.
Edhe lideri i partisë më të madhe opozitare, Isa Mustafa, ka përgëzuar qytetarët e vendit, si dhe deputetët e Kuvendit të atëhershëm, të cilët e shpallën këtë deklaratë të 2 korrikut.
“Deklarata e 2 korrikut dhe aktet, që e pasuan atë, shënojnë kthesën historike në përpjekjet e Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci, të cilat u artikuluan fuqishëm në dekadën e fundit të shekullit XX, sidomos nga Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i cili gjithmonë thoshte se 2 korriku i vitit 1990 është një ndër datat më të rëndësishme të historisë moderne të Kosovës, e cila u parapriu akteve të tjera madhore, si Kushtetuta e Kaçanikut dhe Referendumi për Pavarësi i vitit 1991”, thuhet në komunikatën e dërguar nga Mustafa.
Në përkujtim të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut, Lëvizja Vetëvendosje, përmes një komunikate për mediat, ka vlerësuar se kjo datë shënon hapin e parë vetëvendosës të popullit shqiptar të Kosovës, në aspektin institucionalo-juridik, që prej Konferencës së Bujanit.
Sipas Vetëvendosjes, sot ka më shumë republikanizëm juridik, më shumë sovranitet shtetformues tek ajo Deklaratë Kushtetuese, se sa te dokumentet mbi të cilat po ngrihet sot struktura e padrejtë e pavarësisë së kufizuar.
Ndërkohë, AAK-ja thotë se, deklarata e 2 korrikut ishte në vazhdën e zhvillimeve të asaj kohe, në përputhje me aspiratat e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe dinjitet kombëtar e qytetar.
“2 korriku i vitit 1990 ishte një ndër bazat e fuqishme të të gjitha përpjekjeve tona për liri dhe pavarësi, të cilat u sublimuan gjatë viteve ’90 me rezistencën paqësore dhe u rrumbullakosën me projektin më të madh dhe më të suksesshëm të shqiptarëve në shekullin XX – Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në njoftimin e AAK-së.
Top Channel