SHBA, optimiste për paqen Izrael-Palestinë

01/07/2013 15:40

Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, u kthye optimist për rigjallërimin e bisedimeve të paqes midis Izraelit dhe Palestinës, pas një turi në Lindjen e Mesme.

Megjithatë, ai nuk është në gjendje ende që të komunikojë se kur mund të nisin këto negociata.

“Palët nisën me një hendek të thellë midis tyre këto bisedime, por përfunduan me një qëndrim shumë të përafërt”, deklaroi Kerry, në një konferencë për shtyp gjatë së hënës.

“Besoj se me pak më shumë punë, data përfundimtare për rifillimin e bisedimeve mund të përcaktohet”, shtoi ai.

Gjatë turit të tij aziatik, Kerry mbajti më shumë se 20 orë takime me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahut dhe presidentin e Autoritetetit Palestinez, Mahmoud Abbas.

Megjithatë, optimizmi i Sekretarit Amerikan të Shtetit nuk ndahet prej kryenegociatorit palestinez, Saeb Erekat. “Ishte një bisedim pozitiv dhe i thellë mes presidentit Abbas dhe Kerry-t, por nuk ka pasur deri tani ndonjë shenjë domethënëse për ndryshimin e situatës së bisedimeve me Izraelin”, tha ai.

Negociatat për të gjetur një formulë paqeje përfundimtare, për një konflikt të gjatë 70 vjet, janë ndërprerë që prej vitit 2010, për shkak të refuzimit të Izraelit për të hequr dorë nga ndërtimi i vendbanimeve hebrehe në tokën e pushtuar palestineze.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA