Sokol Olldashi ka takuar kryetarin e dorëhequr të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Takimi mes kryeministrit dhe një prej anëtarëve të qeverisë në detyrë, duket krejt normal, por merr përmasat e lajmit, kur Olldashi është një prej kandidatëve të mundshëm për garën e kreut të Partisë Demokratike.
Burime të besueshme të Top Channel tregojnë se qëllimi i takimit ka qenë për të diskutuar garancitë e një gare të ndershme, pasi Olldashi po shikon mundësinë e kandidimit për kreun e PD-së, por ende nuk ka marrë një vendim.
Do të duhen edhe të paktën dy ditë, që të mësohet jozyrtarisht, nëse Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha do të jenë në garë për kreun e ri të demokratëve.
Berisha e ka përsëritur disa herë publikisht, pas dorëheqjes, se ai nuk do të ndërhyjë te strukturat në bazë, për t’i orientuar se cilin kandidat të mbështesin, dhe se strukturat duhet të jenë në dispozicion të secilit prej tyre.
Po ashtu, Berisha ka pohuar se do të pranojë atë që del fitues nga kjo garë ku, për herë të parë në historinë e PD-së, kryetari do të zgjidhet nga anëtarësia.
Top Channel