Obama takon familjen Mandela

29/06/2013 00:00

Presidenti amerikan, Barack Obama e cilesoi Nelson Mandela-n si “frymëzim për botën” gjatë vizitës në Afrikën e Jugut. Pas takimit me presidentin Jakob Zuma ai shpjegoi se nuk do ta vizitonte udhëheqësin 94-vjecar, që ndodhet prej disa ditësh në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.

Por shefi i Shtëpisë së Bardhë u takua me pjesëtarë të familjes Mandela dhe bisedoi në telefon me të shoqen e tij Graca Mashel.

Presidenti i Afrikës së Jugut, Jakob Zuma tha se “si udhëheqësit e parë afro-amerikanë të vendeve respektive Obama dhe Mandela janë të lidhur nga historia dhe kësisoj mbartin miliona ëndrra të njerëzve në Afrikë dhe në diasporë, që kanë qenë deri dje të shtypur”.

Sipas tij, vizita e Obama-s ishte në kohën e duhur dhe bëri thirrje për më shumë investime amerikane. I pyetur nëse SHBA ndjehen të kërcënuara nga rritja e influencës së vendeve të tjera, vecanërisht Kinës, Obama e cilësoi një gjë shumë të mirë për zhvillimin e kontinentit, por i tërhoqi vëmendjen që kompanitë e huaja të punësojnë punëtorë lokalë dhe të investojnë sërish në vend.

Disa orë më vonë, policia përdori plumbat e gomës dhe granatat tymuese për të shpërndarë protestuesit jashtë Kampusit të Souetos të Universitetit të Johanesburgut, ku turma njërëzish ishin mbledhur për të protestuar kundër politikave amerikane.

Duke iu adresuar studentëve të universitetit, Obama nënvizoi sërish mesazhin e tij, “Po Mundemi” për udhëheqësit e rinj të Afrikës së Jugut. Gjatë fundjavës presidenti do të ndalojë edhe në Robben Island ku Mandela u burgos për 18 vjet me radhë. Të hënën ai do të vazhdojë turin në Tanzani.

Top Channel