“Me talebanët duhet të kishim biseduar”

29/06/2013 00:00

Perëndimi duhet të ishte përpjekur të negocionte me talebanët një dekadë më parë pasi ata u rrëzuan nga pushteti, ka deklaruar komandanti i trupave britanike në Afganistan.

Gjenerali Nick Carter deklaroi se do të kishte qenë shumë më e lehtë të gjendej një zgjidhje politike kur ata ishin në arrati. Komentet e tij për gazetën “The Guardian” vijnë disa ditë pasi përpjekjet për të përfshirë talebanët në tryezën e bisedimeve dështuan.

Gjenerali Carter paralajmëroi gjithashtu se forcat afgane të sigurisë do të kënë nevojë për mbështetje ushtarake dhe financiare pasi trupat e misionit ISAF të largohen në vitin 2014.

Një konferencë mbi të ardhmen e Afganistanit e mbajtur në Bon të Gjermanisë mbi një dekadë më parë nuk përfshiu ish-qeverinë e talebanëve të mundur në luftë.

Gjenerali Carter, zëvendëskomandant i misionit të NATO-s, bëri me dije se do të ishte mirë që Perëndimi të nxjerrë mësim nga ajo që ka ndodhur, por shtoi se: “Në vitin 2002, talebanët ishin në arrati”.

“Mendoj se në atë pikë, nëse ne do të kishim qenë më parashikues do ta kishim kuptuar se një zgjidhje politike për atë që nisi në vitin 2001 do të kishte qenë përfshirja e të gjithë afganëve në tryezën e bisedimeve”, ka thënë Carter.

“Problemet me të cilat jemi përballur që prej atëherë janë në thelb probleme politike dhe probleme të tilla zgjidhen gjithmonë përmes bisedimeve”, ka shtuar gjenerali.

Top Channel