
Avionët ushtarakë dhe trupat siriane goditën pozicionet e kryengritësve në qytetin e Homsit. Në shënjestër ishin lagjet Kalidija dhe Juret Al Shija. Sipas aktivistëve, e shtuna ishte një prej ditëve më të dhunshme në Homs, prej nisjes së kryengritjes.
Aktivisti Tarik Bardakan i tha AP se “predhat vazhdojnë të shihen në Kalidhija dhe në lagjet e Qytetit të Vjetër në Homs prej orës 10.00 të mëngjesit me orën lokale”.
Disa video që janë hedhur në internet, ende të paverifikuara tregojnë “re të stërmëdha tymi që kanë mbuluar pjesë të qytetit”. Televizioni shtetëror raportoi se “ushtria ka shënuar fitore në Homs, ku në lagjen Kalidhija kanë mbetur të vrarë shumë terroristë”.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut përmes rrjetit social Facebook, njoftoi se dy civilë kanë humbur jetën. Tensione janë shënuar përreth xhamisë historike Kalid Ibn al Valid, të cilës i është vënë flaka.
Avancimi i ushtrisë siriane në Homs dëshmon, sipas korrespondentëve, konsolidimin e kontrollit të ushtrisë në një prej korridoreve kyçe që lidh Damaskun me zonën ku jeton pakica alavite, pranë Detit Mesdhe.
Duke rimarrë qytetin e Kusirit, në afërsi të Homsit dhe kufirin me Libanin, forcat e Bashar Al Asadit vunë nën kontroll fshatra dhe ndërmorën ofensivë të re në Homs, një prej qendrave më të rëndësishme të rezistencës së kryengritësve.
Organizata e Kombeve të Bashkuara raportoi se mbi 90 mijë persona kanë humbur jetën në Siri, ndërsa 1.7 milionë janë detyruar të kërkojnë strehim në vendet fqinje.
Top Channel