Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë kallëzim penal për 20 punonjës dhe drejtues të administratave lokale të akuzuar për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera dhe ankande publike.
Kallëzimet penale janë ngritur ndaj punonjësve të Bashkisë së Kuçovës dhe Kavajës dhe ndaj punonjësve të Komunës së Levanit në Fier dhe të Gjinarit në Elbasan.
Në njoftimin e KLSH-së thuhet se gjatë auditit 2-mujor në këto institucione janë vënë re shkelje dhe parregullsi të mëdha në zbatimin e akteve ligjore e nënligjore në fuqi, si në drejtim të administrimit të vlerave materiale e monetare, në kryerjen e pagesave dhe në procedurat e prokurimit publik që i kanë sjellë një dëm të konsiderueshëm financiar buxhetit të shtetit.
Rreth 25 milion lekë është dëmi i shkaktuar nga abuzimet në Bashkinë e Kavajës, rreth 6 milion në atë të Kuçovës. 12 milion lekë është dëmi i shkaktuar nga shkelja e ligjit në Komunën e Gjinarit në Elbasan, ku vec punonjësve të sektorëve është paditur edhe kryetari i kësaj komune në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor.
9 milion lekë është dëmi i shkaktuar nga shkeljet e vëna re në Komunën e Levanit në Fier, ku KLSH ka nisur kallëzimin penal për 7 punonjës të saj.
Ky është raporti i dytë i këtij institucioni, që pak ditë më parë publikoi shkeljet e bëra në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta me një dëm prej 23.7 milion lekë për buxhetin e shtetit. KLSH dërgoi për ndjekje penale katër persona të këtij dikasteri dhe vlen të theksohet se një prej personave ndaj të cilëve është depozituar kallëzimi, është Këshilltari i Kabinetit të Ministrit Theofanis Kaliviotis, i denoncuar muaj më parë si pjestar i “Agimit të Artë”.
Ndërkaq, Kontrolli i Lartë i Shtetit bën me dije se për të mos ndikuar në zgjedhjet e 23 qershorit, vendosi ta bëjë publik auditimin pas përfundimit të proçesit zgjedhor.
Top Channel