Diplomatët: Më në fund zgjedhje të lira

29/06/2013 00:00

Carola Muller-Holtkemper ambasadore e Gjermanisë në Tiranë shprehet
shumë e kënaqur me zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare, kur deklaroi se
më në fund shqiptarë ia dolën të mbajnë zgjedhje të pakontestuara.

“Pas dekadash ku zgjedhjet janë kontestuar, populli shqiptar ia doli. Mendoj se populli shqiptar duhet të jetë krenar për këtë arritje të tij. Sipas vëzhguesve gjermanë, me të cilët unë pata një bashkëbisedim të gjatë në ambasadë pas zgjedhjeve, më folën pozitivisht për zhvillim e tyre. Prandaj që në fillim m’u desh t’ju përgjigjem pyetjes tuaj duke thënë se pas disa dekadash, Shqipëria zhvilloi zgjedhje, të cilat i korrespondonin standardeve evropiane dhe ndërkombëtare.Me këtë arritje unë mendoj se rruga juaj drejt Europës është e hapur. Tani është natyrshëm koha për të qenë euforik, gjë të cilën unë e kuptoj pasi është e merituar. E ardhmja nuk do të jetë e lehtë, por këshilla ime për është: qëndrojini besnik programeve tuaja, qëndrojini besnik Rilindjes dhe kthejeni në realitet”, tha Carola Müller-Holtkemper.

Pranimin nga zoti Berisha të humbjes së koalicionit të djathtë, ambasadorja Holtkemper e quajti një sjellje europiane.

“Ishte një lehtësim i madh, pasi tensioni kishte nisur të rritej. Ai doli për të deklaruar humbjen e tij dhe fitoren e opozitës mbrëmjen e së mërkurës. Por që të hëhën ishte mëse e qartë se kampi i majtë mund të fitonte dhe situata mori doza tensioni, pasi të gjithë pyesnin se çfarë do të ndodhte më pas. Nga eksperienca e së shkuarës shqiptarët ishin të shqetësuar. Veprimi i zotit Berisha i dha sigurinë e fundit gjithësecilit, se Shqipëria mund të sillet si një shtet normal evropian”, tha Carola Müller-Holtkemper.

Kryediplomatja gjermane, vendi së cilës do të ketë një peshë të madhe në vendimmarrjen e dhjetorit për statusin e Shqipërisë si vend kandidat, deklaron se tashmë që tre ligjet u miratuan, zgjedhjet arritën standardet, Qeveria në detyrë dhe ajo e re e zotit Rama, duhet të forcojnë luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Mbledhja e Këshillit të Ministrave të BE-së, në fund të këtij viti do të shikojë në mënyrë shumë favorizuese keto zhvillime pozitive në Shqipëri. Mos të harrojmë se Shqipërisë iu kërkua miratimi 3 ligjeve të integrimit që janë tashmë votuar dhe të futen në zbatin në shtator. Kërkesa tjetër lidhej me zgjedhjet, të cilat shkuan shumë mirë. Janë edhe dy çështje të tjera që lidhen me luftën kundra korrupsionit dhe krimit të organizuar. Me sa kuptoj qeveria e re shqiptare do të merret me këto çështje. Ndoqa me interes deklaratën e Kryeministrit Berisha, i cili tha se Qeveria e tij duhet të operojë me kapacitet të plotë. Ekzistojnë të gjitha mundësitë deri në fund të dhjetorit për të ndërtuar një trak-rekord në luftën kundra korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha ambasadorja gjermane.

Edhe ambasadorja e Francës në Tiranë, zonja Christine Moro jep një qëndrim pozitiv për mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet e 23 Qershorit.

“Që në fillim dua të nënvizoj se zgjedhjet në përgjithësi shkuan shumë mirë. Fatkeqësisht pati disa raste dhune dhe një të vrarë. Ishte kënaqësi të shikoje një rezultat kaq të qartë përfshi këtu edhe deklaratën e kryeministrit Berisha, i cili e njohu rezultatin. Kjo e gjitha është shumë pozitive. Mendoj se jemi në fillimin e një procesi, i cili do të vijojë gjatë gjithë verës. Unë jam besimplotë se gjithçka do të shkojë butësisht. Kështu unë shpresoj pasi shqiptarët e kanë shprehur vullnetin e tyre”, tha zonja Moro.

Top Channel