Cameron viziton Afganistanin

29/06/2013 00:00

Kryeministri britanik, David Cameron gjatë një vizite të shkurtër në Afganistan tha se “ekziston mundësia për t’i dhënë fund luftës 12-vjecare dhe këtë mundësi duhet ta marrin ata që janë të angazhuar për paqen”.

Në vizitën e tij në Afganistan si kryeministër, Cameron konfirmoi se Britania e Madhe nuk do të ketë rol luftarak në Afganistan pas përfundimit të misionit të ISAF-it. Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera kanë deklaruar se do të mbajnë një prani të vogël ushtarësh në Afganistan për disa vjet pas vitit 2014.

Duke folur në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin afgan Hamid Karzai, Cameron tha se tani është koha e paqes.

“Besoj se talebanët që e shikojnë këtë progres kanë nisur të kuptojnë se ata nuk do të kenë ndonjë rol në të ardhmen e Afganistanit me terrorin dhe dhunën, por duke dorëzuar armët dhe duke u angazhuar në procesin politik. Por le të jemi të qartë, tha Cameron, procesi i paqes duhet të vendoset nga Afganistani”.

Karzai tha se ai dëshironte nisjen e bisedimeve të paqes me talebanët. “Ne duam paqe dhe stabilitet në Afganistan, tha ai. Ne dëshirojmë kthimin e talebanëve sërish në vendin e tyre, të jenë pjesë e shoqërisë dhe kësaj politike si dhe të punojnë për vendin e tyre”.

Britania, që ka 7900 trupa, po redukton praninë tyre përpara përfundimit të misionit të ISAF-it.

Pas vizitës së shkurtër në Afganistan, ndalesa e radhës e Cameron ishte Pakistani ku u prit nga zyrtarët e lartë të vendit në Islamabad.

Top Channel