
Edward Snowden mund të kthehet në Shtetet e Bashkuara, por vetëm me disa
kushte. Kështu thotë babai i ish-teknikut të CIA-s në një intervistë
për NBC News.
Për Lonnie Snowden, dy nga këto kushte janë garancia për një proçes të drejtë dhe që djalit të tij t’i garantohet liri deri në vendimin përfundimtar të gjykatës.
Një pikë kjo që ish-kontraktori ka ndërmend ta hedhë të bardhë mbi të zezë në një letër për sekretarin e Drejtësisë, Eric Holder.
Në intervistë, babai i Snowden ka deklaruar se është i shqetësuar se i biri mund të manipulohet nga persona të tjerë.
Në veçanti, ai druhet se persona pranë Wikileaks mund ta përdorin për qëllime ndryshe nga beteja e tij për lirinë e informacionit dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
“Mendoj se objektivi i Wikileaks nuk është me doemos kushtetuta e Shteteve të Bashkuara. Është thjesht publikimi sa më i madh i informacioneve”, ka deklaruar Lonnie Snowden.
Ai ka treguar se për herë të fundit me djalin e tij 30-vjeçar ka folur në prill dhe tani po përpiqet të rivendosë kontaktet me të.
I riu Snowden u arratis nga Shtetet e Bashkuara për në Hong Kong muajin e kaluar, pak javë para publikimit nga ana e “The Guardian” dhe “Washington Post” të detajeve të ofruara prej tij mbi programin sekret të qeverisë amerikane për monitorimin e trafikut në internet dhe atij telefonik.
Top Channel