
Anëtari i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit amerikan, Eliot Engel, ka
vlerësuar se me zgjedhjet e suksesshme “Shqipëria, edhe njëherë ka
demonstruar se është demokraci në lulëzim”.
Engel i ka uruar Edi Ramës dhe koalicionit socialist në fitoren e tyre, duke theksuar se pret të punojë me qeverinë e ardhshme.
“Liderët politikë të Shqipërisë dhe populli, kabineti i ardhshëm i ministrave dhe anëtarët opozitarë nga i gjithë spektri politik, duhet ta dinë se Kongresi i Shteteve të Bashkuara qëndron krah për krah me Shqipërinë”, tha Engel, dhe shtoi se me këto zgjedhje, Shqipëria ka dërguar, mesazh të qartë te Bashkimi Evropian se është e gatshme për status të kandidatit dhe se marshi i shqiptarëve drejt anëtarësimit në BE vazhdon.
Kongresmeni Eliot Engel, e ka falënderuar edhe kryeministrin Sali Berisha për shërbimin e tij për këtë vend.
“Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara, ndersa Berisha ishte në këtë post, përfshirë anëtarësimin në NATO”, tha Engel, duke i uruar atij çdo gjë të mirë në të ardhmen.
Zoti Engel, që është bashkëkryesues i grupit për çështjet shqiptare, thotë se shqiptarët mund të llogarisin në mbështetjen e tij në rrugën e tyre historike, pasi pak vende në botë kanë lëvizur aq shpejtë si Shqipëria nga “jodinjiteti i sistemit totalitar në dinjitetin dhe premtimet e dekokracisë së pjekur”.
Në fund të deklaratës së tij, ai thekson se të gjithë shqiptarët kanë arsye të shumta sot për të qenë krenarë.
Top Channel