Ish-kryeministri dhe ish-udhëheqësi i laburistëve, Toni Bler, ka arritur një marrëveshje me liderin e socialistëve dhe kryeministrin e ardhshëm, Edi Rama, në muajin maj, për ta këshilluar se si të tërhiqen më shumë investime, të promovojë turizmin dhe të nxisë procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Balkan Insajt, që publikohet nga Rrjeti i Raportimit Investigativ në Ballkan (BIRN), shkruan se, pas takimit me Bler në Londër, Edi Rama tha:
“Vullneti i Blerit për të ndihmuar është i paçmuar, duke marrë në konsideratë të mirën që kjo do të sjellë, ndërsa kontrata nuk do të cënojë xhepat e taksapagueve shqiptarë.Deri tani – kish thënë Rama – kemi vetëm një marrëveshje në parim, të mbështetur në vullnetin e mirë të të dy palëve për të bashkëpunuar”.
Zyra e Blerit deklaroi se nuk është nënshkruar asnjë kontratë dhe se çdo bisedë rreth kësaj është e parakohshme. “Megjithatë, nëse ne do të punojmë me qeverinë e re, nuk do të jetë për përfitime”.
Alester Kembëll, zëdhënësi i Blerit, por kësaj radhe në funksionin e këshilltarit për fushatën e socialistëve shqiptarë, u shpreh entuziast për suksesin e tyre në zgjedhje.
“Duket si një lumë votash për Edi Ramën dhe koalicionin e Partisë Socialiste, më pëlqen kjo lloj fitoreje – shkruajti në Tuiter. – Ka qenë diçka e mirë, që bashkëpunova me ju djema!”.
Top Channel