Disa orë pas fitores së Aleancës për Shqipërinë Europiane, shtypi grek i ka kushtuar një vend të rëndësishëm ndryshimit rrënjësor në skenën politike shqiptare pas zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit.

Me titullin “Kërkon ta bëjë Shqipërinë Europë” dhe një fotografi të kryesocialistit Rama, gazeta “To Ethnos” nis artikullin e saj duke theksuar se shqiptarët votuan rilindjen e tyre, duke zgjedhur Aleancën e Majtë.

Sipas gazetës, kryeministri Berisha pas 8 vitesh në pushtet dhe dy dekadash në qendër të politikës së vendit, pagoi tendencat autokratike të qeverisjes së tij, kryesisht duke marrë nën kontroll të tre pushtetet: ekzekutivin, legjislativin dhe gjyqësorin.

Në kontrast me të “plakurin” Berisha, shton gazeta, që i bën një portret mjaft lakues kryeministrit të ri shqiptar, 49-vjeçari Rama synon të vendosë Shqipërinë në një rrugë të re moderne europiane, duke pasur edhe si mësues para zgjedhjeve ish-kryeministrin britanik Tony Blair, të cilin do ta ketë edhe këshilltar kryesor pas fitores.

Edhe pro-qeveritarja “Kathimerini” thekson se zgjedhjet në Shqipëri nuk ishin vetëm një përzgjedhje e qytetarëve për një qeveri të re, por ato përbënin një sfidë shumë më komplekse dhe të rëndësishme, siç është perspektiva e anëtarësimit në BE.

Zoti Rama, sipas “Kathimerini”, erdhi në këto zgjedhje duke premtuar shërim për disa prej plagëve që torturojnë shqiptarët, siç janë: korrupsioni, papunësia, mungesa e institucioneve, mungesa e politikës sociale.

Për fitoren e madhe të socialistëve në Shqipëri shkruan edhe e majta “Avgji”, që i referohet rezultatit tepër domethënës që kanë arritur aleatët socialistë në këto zgjedhje pas tetë vjet qeverisjeje të konservatorëve shqiptarë.

Mediat greke kanë përmendur edhe bisedën telefonike në të cilën ish-kryeministrit grek Papandreu ka përgëzuar kryesocialistin Edi Rama si lideri i Internacionales Socialiste, një bisedë gjatë së cilës janë shkëmbyer mendime për zhvillimet në rajon, që do të jenë edhe pjesë e bisedimeve në takimin më të parë të tyre.

Top Channel