KQZ, apel për materialet zgjedhore

26/06/2013 23:30

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dhënë sërish një deklaratë për shtyp, në orët e vona të ditës së mërkurë, menjëherë pasi kishte përfunduar zyrtarisht procesi i numërimit të votave.

Numërimi i votave është përmbyllur kështu për zgjedhjet parlamentare të zhvilluara të dielën e kaluar, rezultati i të cilave tashmë është bërë i njohur dhe mandatet janë ndarë në 84 me 56 në favor të së majtës.

Por, numërimi i votave ka përfunduar gjithashtu edhe për zgjedhjet e pjesshme lokale, në disa zona të Shqipërisë, si Bulqizë dhe në njësinë numër 1 të Tiranës.

KQZ ka bërë apel ndaj KZAZ-ve që të sjellin sa më shpejt materialet zgjedhore në institucionin më të lartë të zhvillimit të zgjedhjeve.

Ndërkohë, nga raportimi i gazetares së TCH nga KQZ, Rovena Mocka, është bërë e ditur se deri tani në KQZ nuk ka pasur asnjë kontestim apo ankesë nga subjektet pjesëmarrëse në garën zgjedhore, duke i bërë këto zgjedhje të parat e përfunduara kaq “paqësisht”.

Njësia 9 në Tiranë i ka dhënë fund procesit të numërimit të votave, ndërsa është mësuar gjithashtu se në njësinë 1, zgjedhjet për kryetar të minibashkisë i ka fituar kandidati i PS-së, Shkëlqim Cami.

Rezultati përfundimtar i këtyre zgjedhjeve, me shumë gjasa do të çertifikohet në Kolegjin Zgjedhor, pasi KQZ nuk zotëron shumicën e cilësuar prej 5 anëtarësh, sic e saktëson kodi zgjedhor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA