Ka nisur procesi i votimit për të zgjedhur ata që do të na qeverisin katër vitet e ardhshme.
Në orën 7.00 u hapën Qendrat e Votimit, ku pritet të ushtrojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur 3.271.885 zgjedhës, shifër kjo e nxjerrë nga regjistrimi kombëtar elektronik. 19 qendra të posaçme votimi janë ngritur dhe në burgje për 5000 te dënuar dhe paraburgosur që zgjedhjet i gjejnë në qeli. 150.000 është numri i votuesve që votojnë për herë të parë.
Kryetarja e KQZ-së, zonja Lefterie Lleshi hapi në mënyrë simbolike një qendër votimi në Tiranë rreth orës 07:10.
“I bëj thirrje shqiptarëve të votojnë masivisht, të lirë dhe në fshehtësi. Gjithashtu i bëj thirrje komisionerëve të kryejnë detyrën sipas Kodit Zgjedhor dhe të lenë mënjanë ndikimet politike”, u shpreh Lleshi për mediat pas votimit.
Vendi është i ndarë në 12 qarqe. Të regjistruar si subjekte elektorale janë 66 parti dhe dy subjekte të pavarur. Subjektet politike jane grupuar në dy koalicione: “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”, e drejtuar nga Partia Demokratike e kryeministrit Sali Berisha dhe “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, e drejtuar nga Partia Socialiste, me kryetar Edi Ramën. Qarku i Tiranës do të nxjerrë numrin më të madh të deputetëve 32, kurse ai i Kukësit numrin më të vogël, 4 deputetë.
Në këtë proces zgjedhor ka një numër më të lartë të komisioneve në të gjithë piramidën elektorale. Po ashtu, ky është edhe procesi më i vëzhguar nga ndërkombëtaret dhe organizatat në vend. Monitoruesit vendas janë rreth 8 mijë, ndërsa ata të huaj rreth 1 mijë, në përputhje me rëndësinë që procesi elektoral i së dielës është konsideruar nga ndërkombëtarët si tejet të rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në BE.
Policia njofton se ka marrë në ruajtje 5.508 Qendrat e Votimit në të gjithë territorin e vendit dhe se në këtë aksion janë angazhuar 6200 policë.
Po ashtu edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se është realizuar me sukses shpërndarja e materialeve zgjedhore dhe fletëve të votimit në 89 Zonat e Administrimit Zgjedhor. Kryetarja e këtij Komisioni i bëri apel komisionerëve në të gjithë vendin që të bashkëpunojnë.
Informacionet zgjedhore sipas qarqeve
Tirana, 32 mandate
Qarku i Tiranës kishte një popullsi prej 766 mijë banorësh më 2013 me rritje 26.1 për qind në krahasim me vitin 2001 kur kishte 597 mijë banorë. Lista e votuesve për Tiranën mbart 784 mijë emra, nga 725 mijë që kishte në vitin 2009.
Tirana është edhe një nga qarqet që mund të sjellë përcaktimin e fituesit në këto zgjedhje. Në vitin 2009, koalicioni i udhëhequr nga PD mori 178 mijë vota, koalicioni i vogël i djathtë Poli i Lirisë mori rreth 7 mijë vota. Koalicioni i PS mori 173 mijë vota ndërsa LSI mori rreth 20 mijë vota. Aleanca e udhëhequr nga PD fitoi 16 mandate (një u fitua nga republikanët) ndërsa koalicioni i PS mori 15 mandate dhe LSI mori 1 mandat.
Një ndryshim i lehtë në këtë rezultat mundet të përcaktojë edhe fatin e një mandati më shumë për njërën palë dhe një mandati më pak për palën tjetër.
Durrësi, 13 mandate
Durrësi është një nga dy qarqet e vetme në Shqipëri që kanë shënuar rritje të popullsisë dhe rritje të normës së urbanizimit. Në vitin 2013, në Durrës banonin 267 mijë vetë me rritje 7.8 për qind në krahasim me vitin 2001 kur popullata banuese qe 245 mijë vetë. Në listat e votuesve në Durrës gjenden 308 mijë emra, ndërsa më 2009 kishte 290 mijë emra.
Në vitin 2009, aleanca e PD mori 68 mijë vota, Poli i Lirisë, 1122 vota, koalicioni i PS mori 52 mijë vota ndërsa Koalicioni i LSI mori 10 mijë vota.
Në total, PD mori 7 mandate, PS 5 dhe LSI 1 mandat. Edhe në Durrës mund të kemi surpriza për shkak se metoda e llogaritjes së ndarjes së mandateve e bën të mundur që pak vota t’i japin një mandat shtesë njërës palë apo palës tjetër.
Elbasani, 14 mandate
Elbasani është një qark tjetër që ka shënuar rënie të konsiderueshme të popullsisë banuese. Në vitin 2013, popullsia e këtij qarku qe 293 mijë banorë me rënie 18 për qind nga 362 mijë banorë në vitin 2001. Elbasani ka 319 mijë votues në lista ndërsa në zgjedhjet e vitit 2009, votuan 158 mijë vetë. Nga këto, 69 mijë vetë votuan aleancën e PD, 73 mijë vetë aleancën e PS ndërsa aleanca e drejtuar nga LSI mori 7,700 vota. Mandatet janë ndarë në mënyrë të barabartë 7 me 7.
Berati, 8 mandate
beratPopullsia në qarkun e Beratit qe 138 mijë vetë në vitin 2013 nga 192 mijë vetë që qe në vitin 2001. Në listat zgjedhore në këtë qark gjenden 178 mijë votues, ndërsa në vitin 2009 morën pjesë 84 mijë votues. Aleanca e udhëhequr nga PD mori 27 mijë vota ndërsa ajo e udhëhequr nga PS mori 44 mijë vota. LSI mori 9,200 vota. PD mori 3 mandate, PS 4 mandate dhe LSI mori 1 mandat.
Lezha, 7 mandate
Qarku i Lezhës shënoi 133 mijë banorë më 2013 me rënie 15.3 për qind në krahasim me vitin 2001 kur popullata qe 159 mijë banorë. Në Listat e Votuesve, ky qark ka më 2013 160 mijë emra, ndërsa në vitin 2009, pati 148 mijë emra.
Në vitin 2009, në këtë qark morën pjesë 72 mijë votues në zgjedhje, nga të cilët, Aleanca e Djathtë mori 37 mijë vota dhe aleanca e majtë mori 24 mijë vota. Aleanca e udhëhequr nga LSI mori rreth 4 mijë vota ndërsa Aleanca Poli i Lirisë mori 2300 vota. LSI shpreson të nxjerrë një deputet në këtë zonë, por në zgjedhjet e vitit 2009 më vete ka marrë 2500 vota, shifër kjo që duhet të dyfishohet për të patur të sigurtë nxjerrjen e një deputeti.
Fieri, 16 mandate
Popullsia e qarkut Fier më 2013 qe 305 mijë banorë, me rënie 18.4 për qind në krahasim me vitin 2001 kur qe 382 mijë banorë. Fieri ka 16 mandate zgjedhore dhe kjo ka bërë që lufta politike për këtë qark të jetë e ashpër. Në Fier u shënuan më 2009 disa nga përplasjet më të egra si dhe një manipulim zgjedhor i faktuar në Rruzhdije, ngjarje që u bë simbolikë e mbushjes së kutive të votimit me vota emigrantësh që nuk qenë të pranishëm.
Lista zgjedhore e Fierit këtë herë ka 376 mijë votues ndërsa më 2009 kishte 352 mijë votues. Më 2009, morën pjesë 179 mijë votues, nga të cilët, afro 92 mijë votuan për Partinë Socialiste, 11 mijë për koalicionin e udhëhequr nga LSI dhe 71 mijë për koalicionin e udhëhequr nga PD. PS mori 9 mandate, PD 6 mandate dhe LSI mori 1 mandat. Shfaqja e PDIU në skenën politike si dhe kandidimi i pavarur i Dritan Priftit janë të rejat e qarkut të Fierit.
Dibra, 6 mandate
Dibra është një qark tjetër që ka shënuar rënie drastike të popullsisë. Në vitin 2013 këtu banonin 133 mijë vetë, nga 189 mijë vetë që banonin në vitin 2001, me rënie të përgjithshme prej 27 për qind dhe me rënie mesatare vjetore prej 3 për qind. Në listat e votuesve, Dibra këtë vit ka 129 mijë vetë, nga 122 mijë që kishte më 2009.
Në vitin 2009, Aleanca e Djathtë mori 40 mijë vota ndërsa Aleanca e Majtë mori 22 mijë vota. LSI mori 4 mijë vota ndërsa Poli i Lirisë mori 2800 vota.
Kukësi, 4 mandate
Qarku i Kukësit pati 83 mijë banorë më 2013 me rënie 22.7 për qind në krahasim me vitin 2001 kur qenë 111 mijë banorë. Rënia mesatare vjetore është 2.4 për qind. Por lista zgjedhore e Qarkut të Kukësit për këtë vit është 78 mijë vetë, me rritje të ndjeshme në krahasim me vitin 2009, kur lista zgjedhore përmbante 73 mijë emra. Sipas të gjitha gjasave, në Kukës duhej të nxirreshin tre mandate deputetësh, por regjistrime të reja të popullsisë banuese në disa zona të thella bënë që popullsia të rritej artificialisht. Rrjedhimisht, maxhoranca aktuale pritet të nxjerrë në këtë qark një deputet më shumë se sa duhej.
Në vitin 2009, Aleanca e Djathtë fitoi në këtë Qark 28 mijë vota ndërsa Aleanca e Majtë e udhëhequr nga PS fitoi 13,700 vota. LSI fitoi 1200 vota. Partia Demokratike fitoi 3 mandate në këtë qark ndërsa Partia Socialiste, 1 mandat.
Qarku Korçë: 8 KZAZ, 447 qendra votimi, në total 273.287 votues
Qarku Vlorë: 9 KZAZ, 432 qendra votimi, në total 293.169 votues
Qarku Gjirokastër: 4 KZAZ, 237 qendra votimi, në total 122.039 votues
Qarku i Shkodrës, 11 mandate
Qarku i Shkodrës ka shënuar një rënie të shpejtë të popullsisë totale dhe popullsisë rurale dhe rënie më të përmbajtur të popullsisë urbane. Në vitin 2013, qarku i Shkodrës shënoi 211 mijë banorë me rënie 15.5 për qind në krahasim me vitin 2001, kur popullata banuese qe 256 mijë banorë. Rënia mesatare vjetore është 1.6 për qind. Pavarësisht kësaj, në listat zgjedhore të qarkut Shkodër, ka 250 mijë zgjedhës. Në vitin 2009, në këtë qark u hodhën 119 mijë vota.
Në vitin 2009, në këtë qark koalicioni i Djathtë mori 67 mijë vota ndërsa koalicioni i majtë mori 41 mijë vota. Lëvizja Socialiste për Integrim mori 3,400 vota.
Në këtë qark, e djathta mori 7 mandate deputetësh ndërsa e majta mori 4 mandate
Top Channel