Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, rreth 6 mijë qytetarë nga Kosova kanë kaluar përmes pikës kufitare të Vërmicës për në Shqipëri.
“Përsa i përket fundjavës, brenda 24 orëve të fundit kanë kaluar nga Kosova në Shqipëri rreth 3 mijë automjete dhe 6 mijë persona. Këto janë të dhënat që kemi për 24-orëshin e fundit”, deklaroi rreshteri i policisë, Ismed Hodaj, në mesditën e së shtunës, ndërsa fluksi vazhdoi të rritej në orët në vazhdim.
Sipas Policisë së Kosovës, numri i shtetasve që kanë kaluar për në Shqipëri është më i madh në krahasim me të njëjtën periudhë të përpara një jave dhe kjo, sipas tyre, ndodh për shkak të përmirësimit të kushteve atmosferike.
Pushimet në bregdetin shqiptar apo vizita tek të afërmit janë arsyet që na dhanë qytetarët që intevistuam në kufi gjatë së shtunës në mesditë, të cilët do të kalojnë fundjavën në Shqipëri.
“Kam disa të afërm dhe duke pasur pak kohë të lirë, mendova që ta shfrytëzoj këtë periudhë e t’i vizitoj”, deklaroi një qytetar.
“Quhem Demir Sadiku, unë kam apartamentin tim në plazhin e Durrësit dhe po shkoj për nja 2-3 ditë pushime”, u shpreh një tjetër shtetas.
Kosova dhe Shqipëria, prej vitesh aplikojnë sistemin me vetëm një kontroll gjatë kalimit të kufirit. Kjo bëhet për të shmangur radhët e gjata në kufi.
Top Channel