Media, përkeqësim në Ballkan

20/06/2013 00:00

Komisioni Europian mblodhi në Bruksel rreth 400 përfaqësues të mediave, institucioneve ndërkombëtare dhe autoriteteve të qeverive të Ballkanit dhe Turqisë në konferencën e 2-të “ Shprehu me zë të lartë!” (Speak Up!).

Megjithë konkluzionet dhe ndryshimet që solli konferenca e parë e këtij lloji e organizuar në vitin 2011, situata e lirisë së medias rezulton të jetë përkeqësuar.

Dunja Mijatovic, Përfaqesuese e Lirisë së Medias në OSBE – Që nga hera e fundit që unë fola në këtë konferencë, dy vjet më parë, situata e lirisë së mediave është përkeqësuar në vendet e Ballkanit dhe në Turqi. Po aq alarmues është fakti se vijon të mungojë vullneti politik i autoriteve, pa të cilin nuk mund të ketë zhvillim. Në vendet kandidate dhe ato potencialisht kandidate, unë vijoj të ngre vazhdimisht me autoritetet çështje të kërcënimeve dhe sulmeve publike kundër gazetarëve, të cilët rrihen, burgosen për shkak të punës, ngacmohen dhe kërcënohen, për kompani mediatike që mbyllen, apo që iu dëmtohet apo konfiskohet pronësia, për legjislacione të medias që ndryshohet me nxitim, vazhdimisht pa transparencë, e kështu me radhë.

Jerzy Buzek, eurodeputet PPE – Tendencat më shqetësuese janë kanosjet, kërcënimet e drejtpërdrejta dhe ato financiare, të cilat çojnë drejt vetë-çensurimit.

Fergus O’Dowd, Presidenca Irlandeze e BE – Aftësia e medias për të thënë të vërtetën dhe për të sfiduar autoritetet ëshë një nga shtyllat ku mbështetet demokracia. Nëse ky kapacitet tkurret me çfarëdolloj forme, atëherë të gjithë ne jemi më të varfër. Nëse media preket nga interesi i pronarëve, nga frika nga autoritetet, apo nga mendimet e një grupi të vetëm, atëherë demokracia përkeqësohet edhe më tej.

Stefan Fule, Komisioner për Zgjerimin ne BE – Nëna ime, sa herë donte të dinte për shëndetin tim, më vinte termometrin për të matur temperaturën. Nëse doni të dini sa demokratik është një vend shihni indeksin e lirisë së medias, e atëherë nuk kemi nevojë të shohim as indeksin e korrupsionit, apo të demokracisë, sepse do të keni një pasqyrë mjaft të qartë për atë vend.

Konkluzionet e kësaj konference do t’i shërbejnë Komisionit Europian për të kontrolluar më mirë respektimin e lirisë së medias nga vendet që aspirojnë të anëtarësohen në BE. Ndër të tjera, ashtu si dy vjetë më parë, Komisioni do t’ia përcjellë këto konkluzione të gjithë kryeministrave të vendeve të Ballkanit dhe Turqisë.

Përgatiti Arta Tozaj

Top Channel