F1, gjyqi ndaj Mercedes dhe Pirelli

20/06/2013 15:25

Gjykata Ndërkombëtare e FIA-s ka nisur sot në Paris gjykimin e Mercedes dhe Pirelli, në kuadër të testimeve që skuderia gjermane dhe kompania italiane e gomave kanë kryer në Montmelo në datat 16 dhe 18 maj.

Testet janë kryer me makinën e këtij viti të Mercedes dhe kjo gjë nuk lejohet nga rregullorja e Formulës 1. Përfaqësuesit e FIA-s fillimisht kanë akuzuar Mercedesin për shkeljen e nenit 22.1: “Është e vështirë të thuash se Mercedesi nuk ka pasur avantazhe nga këto testime. Ne nuk kemi pasur dijeni për këto testime, ndryshe nga sa kanë thënë përfaqësuesit e Pirelli dhe Mercedes.”

Paul Harris, avokati mbrojtës i Mercedes, ka theksuar se skuderia është e pafajshme pasi këto testime janë organizuar dhe menaxhuar nga Pirelli.

“Të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në këto testime thonë të njëjtën gjë: ishte diçka e organizuar nga Pirelli. Është e pamohueshme që Mercedes nuk kanë asnjë lloj faji”, theksoi Paul Harris.

Mbrojtja e Pirelli-t

Pasi Mercedesi ia la të gjitha përgjegjësitë Pirelli-t, kompania italiane e gomave u mbrojt në Gjykatën Ndërkombëtare të FIA-s duke thënë se ata nuk janë një skuderi e për këtë arsye nuk mund të preken nga rregullorja e FIA-s.

Avokati mbrojtësi i Pirelli-t, Dominique Dumas, tha: “Ferrari dhe Red Bull kanë bërë të qartë se nuk kanë asnjë ankesë ndaj Pirelli-t. Nuk e kuptojmë pse jemi këtu. Pirelli nuk ka shkelur asnjë rregull. Në kontratën që kemi me FIA-n nuk ka asnjë kufizim për makinat që mund të përdorim në testime.”

Nga ana e tij, avokati i FIA-s, Mark Howard, këmbënguli në parregullsinë e testimeve: “Testimet në Spanjë me makinën e sezonit aktual bien ndesh me rregullat. Mercedes ka fituar avantazh prej tyre.”

Verdikti do të jepet të premten, por me shumë mundësi Mercedes do të ndëshkohet për testimet e fshehta të Montmelosë.

Top Channel