OKB lëshon alarmin për refugjatët

19/06/2013 00:00

Vitin e kaluar 7.6 milion njerëz braktisën shtëpitë e tyre. Kjo do të thotë që një njeri cdo katër sekonda ka braktisur gjithcka për t’u shpëtuar konflikteve.

Numri është më i larti që nga viti 1994, vit kur ndodhte gjenocidi në Ruanda dhe krimet çnjerëzore në Bosnje-Hercegovinë. Aktualisht janë mbi 45 milion njerëz me statusin e refugjatit në mbarë botën, disa prej të cilëve nuk kthehen në shtëpitë e tyre prej vitesh apo dekadash.

Kjo është shifra e publikuar në raportin e përvitshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për emigrimin. Komisioneri i Lartë për Refugjatët (UNHCR) deklaroi se numri më i madh i refugjatëve u regjistrua në konfliktin sirian.

55 përqind e të zhvendosurve në vitin 2012 u regjistrua në pesë vende, Afganistani, Somalia, Iraku dhe Sudani.

UNHCR thotë se shifrat janë alarmuese dhe nxjerrin edhe njëherë tjetër në pah paaftësinë e komunitetit ndërkombëtar për të zgjidhur konfliktet e vjetra dhe për të parandaluar ato të rejat.

Top Channel