
Shtetet e Bashkuara do të nisin bisedimet direkte me Talebanët. Kështu njoftoi një zyrtar i lartë në Uashington.
Takimi i parë do të zhvillohet në Doha të Katarit ku talebanët kanë hapur tashmë zyrën e tyre të përfaqësimit.
Pjesë e këtyre bisedimeve do të jenë edhe autoritetet afgane. Presidenti Hamid Karzai tha se do të dërgojë një delegacion në Doha të Katarit për marrë pjesë në këto bisedime.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë, Barack Obama, e përshëndeti nismën, duke e cilësuar një hap të guximshëm drejt paqes, por paralajmëroi gjithashtu se procesi ka për të qenë i vështirë.
“Dua ta lavdëroj publikisht presidentin Karzai, për këtë vendim të guximshëm, për vendosmërinë e tij në mbylljen e konfliktit dhe krijimin e një të ardhmeje sigurie, paqeje dhe prospetiteti për popullin afgan. Ne nuk presim që ky proces të jetë i lehtë apo i shpejtë, por do ta ndjekim në linjë paralele me qasjen tonë ushtarake”, tha Obama.
Njoftimi i Shtëpisë së Bardhë për nisjen e bisedimeve mbërrin në ditën kur NATO i dorëzoi “çelsat” e sigurisë së autoriteteve vendase në të gjithë territorin. Pjesa më e madhe e trupave ndërkombëtare do të tërhiqen, ndërsa një pjesë e vogël do të qendrojë për të vazhduar misionin e trajnimit të ushtrisë dhe policisë afgane.
Zyrtarët amerikanë thanë se në qendër të bisedimeve do të jenë heqja dorë prej dhunës, respektimi i ligjeve vendase si dhe respektimi i të drejtave të grave dhe minoriteteve nga ana e talebanëve.
Në të kaluarën janë bërë përpjekje për të ulur në të njëjtën tryezë udhëheqësit talebanë dhe qeverinë afgane të presidentit Hamid Karzai. Por këto përpjekje kanë dështuar. Talebanët refuzonin bisedimet me Karzain duke cilësuar atë si “kukull të SHBA”.
Në ekzistencën e talebanëve ka pasur tre faza themelore. Fillimisht, ata u shfaqën si ushtri zaptuese, që u ngrit në ’90-n, nga jugu drejt rajoneve qendrore, për të kundërshtuar kriminalitetin dhe korrupsionin gërryes, pasojë e luftës civile.
Momenti i dytë kyç është ai i qeverisë së ashpër islamike të viteve 1996-2001, me pikëpamje mbytëse për gratë dhe një këndvështrimin të vetëm ndaj botës së jashtme.
Përmbysja e saj ndodhi në luftën e nisur nga Shtetet e Bashkuara, pas sulmeve të 11 shtatorit, dhe besnikët e regjimit të vjetër e vazhduan rezistencën e tyre. Vetëm se, pas riorganizimit 6 vjet më parë, talebanët këmbëngulin se kanë ndryshuar, një prej argumenteve është pikërisht favorizimi, që thonë se i bëjnë tashmë arsimimit të vajzave.
Por, hapja e zyrave politike nuk ofron asnjë garanci se militantët në terren do ta pranojnë rezultatin e bisedimeve. Negociatat mbahen me kushtin, që talebanët të heqin dorë nga dhuna, të shkëpusin lidhjet me Al Kaedën dhe të respektojnë kushtetutën e vendit, e cila përfshin liri dhe të drejta për gratë e minoritetet.
Top Channel