
Në ditën e fundit të samitit të G8-ës në Irlandën e Veriut, udhëheqësit e vendeve më të fuqishme të botës dolën me një deklaratë të përbashkët për krizën siriane.
Deklarata mbështet zhvillimin e një tryeze bisedimesh për paqe me përfshirjen e të gjitha palëve në Gjenevë, por nuk përcakton një datë fikse për këto bisedime duke shtuar vetëm “sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Kryeministri britanik deklaroi se palët me këtë deklaratë arritën të tejkalojnë ndasitë e thella sa i takon cështjes siriane. SHBA e mbështetur nga vendet e Europës ndan qendrime të kundërta sa i përket zgjidhjes së konfliktit në Siri.
Nuk dihet se cili do të jetë roli i presidentit Bashar al Assad në bisedimet e Gjenevës, nëse këto të fundit do të mbahen ashtu sic e kërkon deklarata “sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Samiti është përqendruar edhe në çështjet ekonomike botërore, si mënyrat për të nxitur rritjen e tregëtisë dhe luftuar evazionin fiskal në shkallë globale.
I intervistuar nga “BBC” në Moskë, zëvendëskryeministri Sergei Ryabkov theksoi se Rusia po këmbëngul që të palët të përcaktojnë emrat e delegacioneve përfaqësuese në Gjenevë sa më parë, e njëkohësisht edhe emrat e një kabineti të mundshëm provizor, nëse do të bihet dakord që në Siri të ndërtohet një qeveri e përbashkët e “pajtimit kombëtar”.
Megjithatë, ai iu shmang pyetjes nëse Kremlini do të pranonte një të ardhme në të cilën presidenti Bashar al-Assad të mos jetë i përfshirë.
Luftimet në Siri nisën në mars 2011 dhe që prej atëherë, në konfliktin më të përgjakshëm të Pranverës Arabe, mbi 93 mijë persona kanë humbur jetën sipas të dhënave zyrtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Top Channel