
Gjykata Europiane e Autidimit kritikoi ashpër Bashkimin Europian për ndihmën që i ka dhënë Egjiptit, për shkak se ajo ka pasur pak ose aspak ndikim në përmirësimin e situatës së korrupsionit dhe të të drejtave të njeriut në vend.
Midis vitete 2007-2013, Brukseli ka dhënë mbi një miliardë euro ndihma për Egjiptin, që është një prej shteteve më të favorizuara në skemën e ndihmave për vendet jokomunitare.
Megjithatë, në studimin e saj, Gjykata e Auditimit hodhi dyshime të forta mbi faktin se vetëm një pjesë e fondeve kanë mbërritur në destinacion dhe se nuk është bërë asgjë për të përmirësuar të drejtat e njeriut në vendin me 84 milionë banorë të Afrikës Veriore.
Jo vetëm që nuk ka pasur përmirësim, por që prej revolucionit që solli fundin e regjimit autoritar të 83-vjeçarit Mubarak në shkurt 2011, të dhënat për respektimin e të drejtave të njeriut në vend janë përkeqësuar.
Aktualisht, një shqetësim për Brukselin dhe Uashingtonin përbën gjithashtu drejtimi gjithmonë e më islamik që po merr Egjipti, nën drejtimin e presidentit Mohammed Mursi, njëkohësisht një prej eksponentëve më të rëndësishëm ndër vite të Vëllazërisë Muslimane.
”Ndihma që i jepet Egjiptit për përmirësimin e të drejtave të njeriut nuk ka pasur asnjë ndikim për përmirësimin e të drejtave dhe kushteve të jetesës së pakicave etnike e fetare, të cilat ndihen në një kërcënim gjithmonë e më të madh në Egjipt”, evidentohej në raport.
Top Channel