Skender Minxhozi – Njëra nga batutat që me sa duket ka ngjitur më fort
në këtë fushatë zgjedhore (pasi rëndom batutat satirike kanë më shumë
peshë këtu te ne, sesa premtimet serioze), ka qenë e ajo e “gjyshit me
antiplumb”.
Edi Rama ka përdorur podiumet e fushatës, rrjetet sociale dhe mediat, për të vënë në lojë Kryeministrin Berisha, përmes dualizmit moshë – obsesion vetëmbrojtjeje. E nëse dikush ka rrudhur me të drejtë buzët për atë pjesë të ironisë që lidhet me moshën e Sali Berishës, elementi i dytë, ai i sigurisë fizike të kreut të qeverisë, ka qenë një mjet i gjetur i Ramës për të nënvizuar atë që opozita e sheh prej vitesh si frikë obsesive të Berishës në daljet publike.
Më në fund, prej disa ditësh, Kryeministri ka vendosur të bëjë “transparencën”, në lidhje me akuzën se shëtit nëpër Shqipëri, duke mbajtur një antiplumb nën pulovrin e tij të palëvizshëm ngjyrë blu. Kryeministri ka pranuar madje edhe të kontrollohet fizikisht në mënyrë simbolike, në dy shou të njohur televizivë, vetëm për të treguar se nuk mban asnjë masë mbrojtëse nën veshjen e tij.
Mosha dhe mania që ka për sigurinë, janë dy ide fikse të hershme të Sali Berishës. Kush mban mend vitet ’90, kur ai ishte President, nuk mund të mos kujtojë karvanët arrogantë të makinave që çanin me shpejtësi bulevardin kryesor të Tiranës, teksa shoqëronin kreun e shtetit, duke ngritur një re pluhuri prapa. Berisha ka preferuar historikisht të ketë rreth vetes një kordon të vazhdueshëm rojesh e badigardësh, çka me sa duket lidhet me shqetësimin e përjetshëm të tij, se diku, dikush, mund të jetë duke kurdisur diçka kundër personit të tij. Në fakt, në këtë pikë ai është vetëm një zgjatim i udhëheqjes komuniste, e cila elementin e sigurisë e kishte ngritur në piedestal.
Përtej antiplumbit metaforik të Kryeministrit, i cili mund t’i heqë eventualisht ca vota atij në këtë garë elektorale, Shqipëria ka vite që vuan një tjetër antiplumb, shumë më të rëndë e dramatik se veshja personale e Sali Berishës. Është antiplumbi partiak që shteti shqiptar me gjithë ç’përmban brenda, ka veshur në këta tetë vjet të qeverisjes së PD dhe Kryeministrit të saj. Nëse i hidhni një sy vetë fushatës, shteti i veshur me parzmoren e partisë në fuqi, vërehet kudo, shihet kudo, preket kudo. Partia e vë në rresht shtetin sa herë i duhen mitingashë. Partia e dhunon shtetin dhe nëpunësit e tij sa herë që duhen devijuar e vjedhur vota. Partia i merr shtetit për sh(përdorim) burimet financiare, logjistikën, karburantin, makinat, zyrat dhe telefonat. Partia e bën edhe të flasë shtetin, sipas dëshirës, interesit dhe zërit të saj. Në këtë fushatë kemi nga njëra anë një grup partish opozitare, që po përpiqen të fitojnë jo përballë një grupi tjetër partish të shumicës, por përballë vetë shtetit të veshur me antiplumbin partiak që simbolikisht e majta ia ka veshur Sali Berishës prej një muaji.
Antiplumbi partiak i shtetit është një ndër fatkeqësitë madhore që i kanë ndodhur këtij vendi në dy mandatet e fundit qeverisëse. Në një shikim historik, çdo mazhorancë e ka përdorur dhe keqpërdorur shtetin që ka qeverisur. Shqipëria e 22 vjetëve të fundit e ka humbur deri tani në mënyrë groteske, betejën për ndërtimin e shtetit ligjor, të imunizuar nga partitë dhe politizimi i skajshëm që ato sjellin me vete. Por brenda këtij dështimi të madh, dy qeverisjet e Berishës përbëjnë pa më të voglin dyshim apogjeun e dominimit partiak të shtetit nga partia në fuqi. Nëse në vitet ’90 shteti me institucionet e tij të dhunës digjte gazeta për llogari të partisë në pushtet, në këto tetë vjet, kur ishte e pamundur të digjeshin me mediat e të futeshin në burg gazetarët, PD dhe kreu i saj vetëm sa ndryshuan estetikisht skemën e tyre të dominimit të shtetit. E njëjta frymë partiake në rekrutimin e nëpunësve të administratës, i njëjti klientelizëm partiak në marrëdhëniet me biznesin, i njëjti militantizëm në institucione dhe i njëjti vullnet politik për vënien e gjithçkaje nën kontroll. Në kemi sot një KQZ të veshur me antiplumb, një INSTAT të veshur me antiplumb, një televizion publik të veshur me antiplumb. Kemi madje edhe drejtorë shkollash e spitalesh të veshur me antiplumbin e partisë. Ky është një deformim i skajshëm dhe tejet fatkeq për një vend që kërkon prej dy dekadash që të ndërtojë një shoqëri normale.
Ne sot kemi një forcë politike dhe një Kryeministër që e kanë shtrirë pushtetin e tyre partiak deri në Presidencë, në sistem të drejtësisë, në mediat publike dhe në jetën ekonomike, sociale, kulturore e deri edhe sportive. Kjo është pasoja direkte e këmishës së forcës, që PD i veshi me koshiencë të plotë shtetit që mori në dorëzim në vitin 2005.
Ky është antiplumbi real, e jo ai i supozuari që mban nën pulovër Sali Berisha nëpër Shqipëri. Ky antiplumb duhet hequr qafe një orë e më parë, që shteti të çlirohet nga dominimi vulgar i një partie që nuk dallon dot më prej vitesh se ku fillon shteti dhe ku mbaron vetë partia. Berisha mund të bëjë ç’të dojë me sigurinë e tij fizike. Fobitë e tij janë tashmë të pashërueshme, në moshën në të cilën ndodhet. Por antiplumbi që ai i ka veshur shtetit prej tetë vjetësh, është një barrë e rëndë, që po i merr frymën demokracisë shqiptare. Këtij antiplumbi si t’ia bëjmë, se atij të Berishës ia gjen vetë zgjidhjen i zoti.
Gazeta “Shqip”
Top Channel