Vangjel Tavo – Edhe pak ditë na ndajnë nga dita e votimit. Edhe pak ditë
na ndajnë nga mundësia për të nisur një kapitull të ri për mbarë
popullin tonë dhe për të shkruar një histori të re më të lumtur nga këto
dy dekada të errëta të tranzicionit postkomunist.
23 qershori është dita kur shqiptarët do të bëjnë zgjedhjen midis një rrugëtimi më të shpejtë drejt Europës dhe një politike pengmarrëse me filozofi dhe frymë të vjetër, e cila nuk ka çfarë të ofrojë më si inspirim në zemrat e shqiptarëve, veçse frymën e saj të fundit të largimit.
Vendi ka nevojë për rotacion, ndaj shqiptarët do e realizojnë pas pak ditësh këtë domosdoshmëri për të ardhmen e vendit. Ky rotacion nuk duhet të shërbejë vetëm për të ndryshuar fytyrat e protagonistëve mediatikë, apo për të zëvendësuar një drejtues me një tjetër, por për të zgjidhur disa problematika madhore, të cilat kanë rënduar mbi supet e shqiptarëve dhe në ekonominë e familjeve të tyre, dhe mbi të gjitha mbi të drejtën e fëmijëve të tyre për të qenë europianë me të gjitha të drejtat që mbart ky emër.
Ekzistojnë disa opinione, të cilat shprehen se pas tetë viteve në drejtimin e vendit një qeveri duhet të largohet, sepse edhe në vende të zhvilluara, si për shembull në Amerikë, kështu ndodh çdo tetë vjet. Kjo është më se e vërtetë, por nevoja për rotacion shkon përtej kësaj logjike pasi mbi lodhjen mendore që kanë shqiptarët duke dëgjuar të njëjtët njerëz dhe të njëjtat premtime për tetë vjet, ajo që i shqetëson ata më shumë është numri i madh i papunësisë; i shanseve të munguara për rininë; standardet e një turizmi me logjikë primitive zhvillimi dhe promovimi kulturor; një dhunim i përditshëm i monumenteve kulturore kombëtare, të cilat janë krenaria e çdo shqiptari; një diskriminim i dukshëm i disa zonave të vendit, kryesisht ato jugore si Gjirokastra, Tepelena, Saranda, Berati, Lushnja etj., dhe me bashki që administrohen nga forca të tjera politike nga ajo qeverisëse; një administratë shtetërore politike dhe militantiste dhe jo profesionale e civile; si edhe një frymë indiferente për integrimin e vendit në familjen europiane dhe mungesë impenjimi për të bërë hapa të shpejtë drejt Brukselit.
Rotacioni duhet për të nisur zbatimin e platformave konkrete të zhvillimit të vendit, duke u ofruar shqiptarëve të papunë mundësi punësimi dhe integrimi me punën dhe karrierën profesionale. Duke u ofruar të rinjve një edukim dinjitoz që përshtatet me nevojat e tregut të punës. Duke ngritur standardet e jetesës për çdo qytetar apo fshatar shqiptar.
Vitet e fundit është promovuar nga qeveria një rritje ekonomike, e cila lumturon vetëm ata që e shkruajnë në raportet e tyre, pasi shqiptarët trishtohen çdo ditë edhe më shumë nga varfëria, papunësia dhe mungesa e shpresës për një jetë më të mirë.
Në ditët e sotme, specialistët e ekonomisë botërore nuk e matin më rritjen ekonomike të një vendi me rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto, por me standardin e jetesës së qytetarit, dhe standardet e jetesës për të shumtën e qytetarëve shqiptarë janë në nivele tejet të ulëta, duke pësuar rënie çdo ditë e më shumë. Rotacioni politik dhe qeverisës është i domosdoshëm për të sjellë një perspektivë të re në ekonominë e vendit dhe për të ngritur strategji afatshkurtra dhe afatgjata, në mënyrë që të gjithë shqiptarët të shijojnë sot standarde më të mira jetese, dhe nesër fëmijët tanë të krenohen që i përkasin një vendi të zhvilluar dhe jo një vendi në tranzicion të përhershëm.
Nevoja për rotacion ka të bëjë edhe me lodhjen fizike dhe dhunimin e dinjitetit të çdo qytetari, i cili përballet me dyert e burokracisë së institucioneve shtetërore, të cilat ose janë gjithmonë mbyllur ose i trajtojnë me përbuzje qytetarët e thjeshtë. Rotacioni i 23 qershorit do i japë fund moszbatimit të orareve zyrtare, të sorollatjeve të panevojshme dhe degraduese të qytetarëve të thjeshtë, por do të vendosë një etikë perëndimore pune dhe komunikimi me qytetarin. Shqipëria është vend europian, ndaj dhe duhet të sillet me të njëjtën etikë si Europa në çdo hallkë të qeverisjes dhe administrimit të punëve të vendit.
Provincializmi arkaik ka zaptuar edhe artin, kulturën, historinë, akademinë, një pjesë të shoqërisë civile etj., duke injektuar me militantizëm partiak lirinë që ofron demokracia e vërtetë. Më 23 qershor, shqiptarët duhet të votojnë për rotacionin, për integrimin, për planin e punësimit dhe zhvillimit konkret të vendit, pasi vetëm në këtë mënyrë ne do të mund të ecim më shpejt drejtë familjes europiane.
Top Channel