Siri, pranë 100 mijë viktimave

13/06/2013 15:20

Të paktën 93 mijë persona janë vrarë në luftën civile siriane që prej fillimit të konfliktit në mars 2011, raportoi OKB në buletinin e saj të fundit zyrtar rreth bilancit të luftimeve në vendin e Lindjes së Mesme.

Një shifër e tillë përbën një rritje prej më shumë se 30 mijë viktimash, që prej buletinit të fundit të një vlerësimi të plotë zyrtar, në nëntor 2012.

Mesatarisht, 5 mijë persona vriten çdo muaj në Siri, por ashpërsimi i luftimeve në javët e fundit ka bërë që trendi të jetë rritës.

Mbi 80% e të vrarëve janë meshkuj, por Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut thotë që janë dokumentuar edhe të paktën 1 700 vrasje të fëmijëve nën 10 vjeç.

Ndërsa besohet se autoritetet janë në prag të lëshimit të një mësymje të madhe mbi Alepon, qyteti më i madh i vendit në duart e kryengritësve, shqetësimi për përshkallëzimin e spirales së dhunës mbetet i lartë.

Në konfliktin 27-mujor, për fat të keq, vlerësimet e OKB-së kanë rezultuar shpesh të përmbajtura, mbi viktimat e këtij konflikti.

Organizata ndërkombëtare dhe burime të opozitës, aktualisht e ngrenë numrin e viktimave në rreth 140 mijë persona, ndërsa me dhjetëra mijëra të tjerë konsiderohen të humbur.

Në një shtet me 21 milionë banorë përpara luftës, Siria përballet edhe me një “hemoragji” të madhe civilësh, me pothuajse dy milionë tashmë refugjatë lufte në vendet fqinje.

OKB: Masakër fëmijësh në Siri

Mijëra fëmijë janë vrarë në protestat në Siri që prej marsit të vitit 2011, thuhet në një raport të ri të OKB-së për fëmijët në vende të përfshira nga konflikte të armatosura.

Duke e cilësuar situatën si të papranueshme, studimi tregon se forcat qeveritare kanë përdorur djem dhe vajza të vegjël si mburojë njerëzore nga bombardimet.

Në total raporti mbulon 21 vende të botës ku fëmijët janë viktima të dhunës. Për herë të parë Mali është shtuar në “listën e turpit”, ku listohen palët e përfshira në konflikte që rekrutojnë dhe abuzojnë me fëmijët.

Këtë vit në listë janë emrat e 55 forcave të armatosura nga 14 vende, përfshirë grupet në Republikën e Afrikës Qendrore dhe Republikën Demokratike të Kongos.

Në Mali, vëren raporti, fëmijët përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë prej 18 milionë banorë dhe shumica janë prekur “në mënyrë të ashpër” nga vazhdimi i konfliktit në veri të vendit.

“Përkeqësimi serioz i situatës së sigurisë në Mali në vitin 2012 u karakterizua nga një numër i lartë shkeljesh të rënda ndaj fëmijëve nga grupe të ndryshme të armatosura”, thotë raporti.

Duke vënë në dukje se më të prekurit janë djemtë nga mosha 12 në 15 vjeç, dokumenti i Kombeve të Bashkuara shton se grupet e armatosura dyshohen të kenë ushtruar dhunë seksuale “në masë dhe sistematike” ndaj vajzave të mitura që prej janarit 2012.

Gjithashtu ka pasur të dhëna për dhjetëra fëmijë të vrarë ose të gjymtuar nga armët, minat dhe sulmet ajore gjatë fushatës ushtarake franceze në Mali që nisi në janar 2013 për të luftuar militantët islamikë. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA