Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, inaguroi një memorial dhe ekspozitë, dedikuar viktimave hebreje të nazismit në Aushvic, kampin famëkeq të vdekjes i ndodhur në territorin polak.
Ekspozita mbahen në bllokun 27, pjesa më famëkeqe e kampit, ku ndodhte edhe shfarrosja sistematike e popullsisë europiane të hebrenjve.
Duke përfituar nga kjo ceremoni përkujtimore, Netanyahu theksoi se lufta kundër antisemitizmit nuk ka përfunduar dhe se ka ende shtete sot në botë, si Irani, që nuk e njohun Holokaustin, e madje janë duke planifikuar një Holokaust të ri për popullin hebre.
Ekspozita e përhershme është ideuar në një dhomë të errët, në të cilën shpjegohet doktrina naziste e races arjane e inferiore si dhe transmetohen pjesë nga fjalimet e mbushura me urrejtje të Hitlerit dhe ministrit të tij të propagandës, Gëbelsit.
Ndërsa në pjesën e ekspozitës dedikuar viktimave, ndriçimi ulet dhe përshpërtimat e një lutje trasmetohen pa ndërprerje.
Midis aspekteve më interesante të kësaj ekspozite është edhe mbledhja e mbishkrimeve të shumta të gërvishtura në faqet e kapanoneve të ndryshme të Aushvicit nga viktimat përpara ekzekutimit, në një faqe muri të vetme.
Rreth 1,5 milionë hebrenj u vranë në dhomat e gazit në Aushvic prej Gjermanisë Naziste, e cila në tërësi shfarrosi plot gjashtë milionë hebrenj midis viteve 1939-45.
Top Channel