
Gjatë një bashkëbisedimi me banorë të njësisë bashkiake numër 1 në kryeqytet, kryeministri Berisha ka dënuar çdo akt dhune të ndodhur gjatë fushatës elektorale, ndërsa ka siguruar qytetarët se më 23 qershor, shqiptarët do të votojnë në mënyrë dinjitoze.
“Ne duhet të bëjmë gjithcka për zgjedhjet më të mira, të shkëlqyera, dhe kemi plotësisht mundësi. Kjo është një fushatë e qytetëruar, që po zhvillohet. Gjej rastin të dënoj cdo akt dhune, se në fushatë, pavarësisht se mund të mos ketë asnjë motiv politik, por merr një karakter të papërshtatshëm”, tha Berisha.
Kryeministri ka ironizuar liderin e opozitës, i cili sipas tij ka dështuar me alternativën për rritje taksash.
“Ka humbur cdo betejë me mua. Tani ka dalë me tezën ‘ma lësho ti, se nuk e marr dot’, po jam i lodhur dhe unë kam tezën time. Ne do të vazhdojmë të lodhemi, do lodhemi cdo ditë, sepse njeriu punëtor do lodhet, ti rri në kuti, rri në autobus dhe vazhdo” ironizoi Berisha.
Pas njësisë 1, fushata elektorale e demokratëve ka zbritur në njësinë 11, prej ku Berisha akuzoi Ramën se ka diskriminuar këtë zonë, gjatë periudhës kur shërbente si kryebashkiak i Tiranës.
“Qytetarë kërkojnë vetëm një gjë nga politikanët, ndershmëri dhe trajtim të barabartë. Pa pyete veten zoti Rama, cfarë bëre 11 vjet për këta qytetarë, të cilët ndërtuan këtu me lumenj djerse ëndrrën e tyre të bukur për veten, fëmijët dhe kryeqytetin e vendit. Është kompleksi i braktisjes, që u bëre ti për 11 vjet këtyre, që të mundon”, theksoi Berisha.
Duke premtuar ndërtimin e Tiranës moderne, kryeministri u kërkoi qytetarëve, që më 23 qershor të votojnë Partinë Demokratike.
“Shqipërinë nuk e bëri grushti stalinist, por e bënë dy gishtat lart. Gëzuar fitoren, përpara”, përfundoi Berisha.
Top Channel