“Dibra do të dalë nga izolimi”

12/06/2013 00:00

Entuziazmin dhe mikpritjen e qytetarëve të Peshkopisë Edi Rama e quajti një përgjegjësi për të, si kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë, në transformimin e kësaj zone të harruar nga qeveria Berisha.

“Kemi detyrën historike të rilindim Shqipërinë duke i hapur rrugë çdo familjeje të zakonshme, pavarësisht bindjeve partiake, pavarësisht teserës dhe prirjeve të secilit, pavarësisht krahinës, pavarësisht se ku jetojnë, në qytet apo në fshat. Sepse, të dashur miq, historia e një Shqipërie të përçarë, historia e një ndasie pa mbarim, historia e urrejtjes ka sjellë rrënimin që ne do të ndalim në 23 qershor. Dhe pak ditë dhe koha do të provojë se puna është rruga e vetme për të ngritur lart dinjitetin e çdo familjeje dhe të këtij kombi”, deklaroi Rama.

“Fund skllavërisë së minatorëve”

Ndërsa në qytetin e minatorëve të Bulqizës, Edi Rama tha se harresa dhe braktisja e kthyer në skllavëri për këta banorë mbulon me turp këdo që këto 8 vjet pati mundësi të bëjë diçka.

Ne do t’i japim fund turpit të ndihmës ekonomike, premtoi Rama, pasi programi i Rilindjes, theksoi ai, ndihmën ekonomike do ta shndërrojë nga lëmoshë për të mbajtur peng të varfërit, në një formë për punësimin e të gjithë atyre që duan punë. “Pas 23 qershorit do t’i japim fund skllavërisë dhe zinxhirit korruptiv me konçesionet e kromit”, premtoi Rama.

“Rruga e Arbrit, prioritet kombëtar”

Gjatë një bashkëbisedimi me banorët e Klosit, Rama e quajti ndërtimin e Rrugës së Kombit një projekt strategjik.

“Ajo që mund t’ju them është që ne do ta bëjmë Rrugën e Arbrit dhe jo vetëm atë, por të gjitha rrugët që ne do të ndërtojmë do të jenë ndryshe nga rrugët që ndërtojnë këta që kanë ngelur rrugëve. Ky është një projekt kombëtar, është një projekt shumë i rëndësishëm për ju dhe Shqipërinë. Është një projekt që nuk shkurton thjesht lëvizjen, por garanton zhvillim për një territor të tërë. Për ne hyn tek projektet strategjike që do ta çojmë përpara me shumë vullnet”, garantoi Rama banorët.

“Më 23 qershor të votojmë për të ardhmen”

Kreu i PS e ka vijuar fushatën në Burrel, ku ka falenderuar simpatizantët për pritjen dhe ka premtuar ndryshimin.

“Pritja që më keni bërë është e jashtëzakonshme. Mbledhja e kaq shumë të rinjve tregon dëshirën për zhvillim. Më 23 qershor të votojmë për të ndryshuar të ardhmen e vendit”, ka deklaruar Rama.

Top Channel