Policia turke u detyrua të përdorte gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën e protestuesve anti-qeveritarë në kryeqytetin Ankara, ndërsa protestat hynë këtë të dielë në javën e tyre të dytë.
Rreth 5 mijë përsona u grumbulluan në sheshin Kizilay, në qendër të Ankarasë, në orët e mbrëmjes të së shtunës, e mëngjesin e së dielës.
Përballë marshimit të tyre të dhunshëm, forcat policore u detyruan të ndërhynin, duke përdorur lotsjellësin, ndërsa disa manifestues të dyshuar për vandalizëm u ndaluan.
Ndërkohë, përplasje të reja janë regjistruar edhe në kryeqendrën ekonomike e qytetin më të madh të Turqisë, në Stamboll.
Një protestë e nisur kundër planit të zhvillimit urban të një pjese të gjelbërt të Stambollit, lëvizja në Turqi është shndërruar në një manifestim të vërtetë anti-qeveritar, pasi dhuna e tepruar policore revoltoi protestuesit në ditët e para të trazirave.
Pavarësisht situatës së tensionuar, kryeministri Recep Tayyip Erdogan ka përjashtuar kategorikisht mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.
”Nuk mund të shkosh në kutitë e votimit vetëm sepse disa njerëz po marshojnë në rrugë”, komentoi Erdogani.
Top Channel