Strategjia e djegies me acid

09/06/2013 00:00

Ilir Yzeiri – Në një shkrim në blogun e tij vetjak “Peizazhet e fjalës”, Ardian Vehbiu, duke analizuar një anë të diskursit politik që po shtillet këto ditë në fushatë zgjedhore, kishte pikasur përdorimin e thënies “ti duhet të kërkosh falje” që Sali Berisha më shumë, por edhe të tjerë përfaqësues të qeverisë e të PD-së, i drejtojnë Edi Ramës.

“Ftoj Edi Ramën të kërkojë të falur… “ është kthyer në një klishe dhe fjalëshenjë dhe qëllimi këtu, vëren ai, nuk është pendesa e Edi Ramës, por paraqitja e tij si mëkatar. Unë do t’i shtoja këtij vëzhgimi edhe një përmasë tjetër. Gjithë duke mbështetur idenë e Vehbiut, unë do të shtoja se në këtë rast shenjueshmëria e kësaj thënieje nuk përputhet me anën fjalësore të thënies, pra ftesa për të kërkuar falje, nuk është ftesë për t’u penduar, por akuzë për krime që nuk i ke kryer. Në këtë rast, përmes formës në dukje elokuente të ftesës, fshihet akuza për një krim të pakryer. Kjo klishe ose kjo paradigmë vjen nga një kontekst i caktuar politik dhe më së shumti nga gjyqet speciale të komunistëve pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. E nisur si një thënie korrekte në një kontekst të përcaktuar dhe e drejtuar si një ftesë për pendesë të vërtetë ndaj atyre që me të vërtetë kishin kryer krime, prokurorët politikë, shpeshherë, në kulm të retorikës akuzative, për t’i dhënë diskursit pak frymëmarrje kristiane, i ftonin të akuzuarit që të kërkonin falje para popullit ose para se të shkoheshin në plumb. Në këtë rast folësi ishte i identifikuar, ndërsa bashkëfolësi ose i destinuari ishte abstrakt dhe me të kuptohej një bashkësi e papërcaktuar njerëzish që në të shumtën e rasteve njëjtësoheshin me spektatorët e këtyre gjyqeve. Me kohë kjo sintagmë apo kjo klishe u bart në ligjërimin politik të diktaturës dhe udhëheqësit komunistë e përdornin atë si klishe në fjalimet e tyre kur u drejtoheshin armiqve të popullit shqiptar apo të popujve të botës. Sali Berisha si ish-komunist, në diskursin e tij politik reflekton pikërisht këto klishe. Për të kundërshtari politik është përballë dhe me të nuk mund të dialogohet, me të luftohet. Ai mposhtet dhe mundet. “Unë e ftoj Edi Ramën që të dalë në shesh…” është një klishe tjetër e tij që reflekton një megatekst tjetër. Në këtë rast është ambienti folklorik i ndeshjes në balada e legjenda dhe ai e përfytyron veten si një kalorës me shpatë. Mirëpo me figurën që ndërton dhe me turin e tij nëpër Shqipëri ku premton gjithçka që njeriu mund të mendojë, ai transformohet në një Don Kishot. Ndërkaq, para disa ditësh ai dhe kanakari i tij, Lulzim Basha, hodhën në tregun e ligjërimit politik akuza të hidhëta e përçarëse. Ata u përpoqën që ta paraqitin Edi Ramën si antimysliman. Kjo në teorinë e akteve të ligjërimit politik quhet strategjia e djegies me acid. Një strategji të tillë e aplikuan edhe republikanët ndaj Presidentit Barak Obama kur e sulmuan atë personalisht si mysliman afrikan apo kur i kërkuan certifikatën e lindjes. Nuk është e sigurt nëse grupi “Podesta” që këshillon stafin e Berishës e të Lulit e ka këshilluar këtë strategji, veçse një gjë dihet me këtë rast; kjo strategji është arma e fundit që përdor ai krah politik që sheh se rezultatet e sondazheve nuk e favorizojnë. Në qoftë se në rastin e përdorimit të klishesë së parë, pra atë asaj që përmend edhe A. Vehbiu, të ftesës për pendesë që transformohet në akuzë për krime të pakryera, kundërshtari, gjithsesi, ruhet dhe thirret për t’u eliminuar politikisht duke u vizatuar si bartës i krimeve që i janë bërë popullit, në rastin e dytë ai sulmohet personalisht dhe qëllimi është asgjësimi total i imazhit dhe figurës. Deri më sot konfliktet për shkaqe fetare janë provuar si më të dhunshmet dhe njeriu që vizatohet si armik i një feje të caktuar, projektohet në fakt si një mundësi për t’u eliminuar nga skena politike. Siç shihet në regjistrin e diskursit politik të Berishës përzihet shenjueshmëria e ligjërimit komunist që është themeli i formimit të tij politik e kulturor, nënshtresa folklorike e baladave e legjendave me ushta e me shpata dhe në fund fanatizmi fetar, dhomat e errëta e të zeza të nënvetëdijes që e duan kundërshtarin jo të eliminuar, por të djegur me acid.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA