Mustafa Nano – Është bërë një zhurmë e madhe këto ditë lidhur me praktikën “përtace” që kanë adoptuar televizionet shqiptare për të pranuar pa një, pa dy kasetat propagandistike të partive politike, e për t’i futur ato në transmetim gjatë edicioneve informative të tyre apo gjatë rubrikave speciale elektorale.
Kuptohet, zhurma është bërë në media e nga disa gazetarë, por është e qartë se kjo zhurmë nuk u shndërrua dot në një reagim të fortë e të ashpër kundër kësaj praktike, të cilën televizionet po e legjitimojnë me një ligj që ekziston për këtë çështje e që i detyron këto media të bëjnë këtë që po bëjnë.
Ka vërtet një ligj? Jo, nuk ka asnjë ligj. Absolutisht asnjë. Ka një vendim të KQZ-së. Kaq. Është një vendim me titullin “Për pasqyrimin e fushatës zgjedhore në Radio/Televizionet private, bazuar në materialet e vëna në dispozicion nga subjektet zgjedhore”. Është një vendim, për të cilin duhet t’u vijë marre atyre që e kanë hartuar, dhe atyre të tjerëve që e zbatojnë pa qenë të detyruar. Ky vendim nuk përbën detyrim pasi, në kundërshtim me çfarë pretendohet, nuk është i mbështetur në asnjë ligj. Zëdhënësja e KQZ-së i është referuar nenit 84 të Kodit Zgjedhor, pikës 1, dhe është e çuditshme se si gazetarët nuk e kanë parë të udhës ta publikojnë të plotë përmbajtjen e këtij neni. E ka bërë ndonjëri syresh, por të shumtët s’e kanë hapur fare kodin për të parë se ç’thotë ky nen i flamosur.
Ja përmbajtja e plotë e nenit 84, pikës 1: “Në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, partia politike e regjistruar si subjekt zgjedhor ka të drejtë t’i kërkojë KQZ-së që të miratojë me vendim raporte për ndarjen e kohës që i takon subjektit përkatës, sipas neneve 80, 81 dhe 84 të këtij Kodi, sipas propozimit të bërë nga vetë subjekti. Partia ka të drejtë të përcaktojë raportet kohore për mbulim të fushatës për këshillat dhe fushatës së kandidatëve të saj për kryetarë të njësive të qeverisjes vendore. Kërkesa përkatëse i paraqitet KQZ-së jo më vonë se 15 ditë para fillimit të fushatës zgjedhore”.
Siç shihet, nuk ka në këtë ligj asnjë frazë që të legjitimojë atë që ka ndodhur më pas. Po, ka një frazë idiotike, siç është ajo ku thuhet “partia ka të drejtë të përcaktojë raportet kohore …” (se ç’do të thotë kjo, veç ata që e kanë hartuar mund ta dinë), por vetëm kaq. Kjo frazë nuk të çon as minimalisht tek ideja se duhet nxjerrë një vendim që t’u japë të drejtën partive të përgatisin “lajmet”, dhe t’i vërë televizionet përpara detyrimit që këto “lajme” t’i nxjerrë të pacensuruara në transmetim. Prandaj, duhet thënë me gojën plot se KQZ-ja ka nxjerrë një vendim krejt të pabazuar në ligj. Referencat ligjore që përmenden, nenet 80, 81, apo 84 (neni 80 e 81 flasin për televizionin publik, e jo për televizionet, e prandaj përmenden më kot), janë hí që i hidhet syve publikut. Ky është një vendim që nuk e ka marrë KQZ-ja me katër vetë, por boss-ët politikë të anëtarëve të KQZ-së. Këta të fundit thjesht kanë nënshkruar, siç do bëjnë, sipas shumë gjasash, edhe herë tjetër deri në fund të procesit zgjedhor, dhe në këto rrethana është e kotë thirrja që Çipa i drejtonte KQZ-së që ta zhbëjë vendimin. Në fakt, thirrja u duhet drejtuar televizioneve që ta denoncojnë këtë vendim të paligjshëm dhe të mos e zbatojnë.
Unë po shkoj pak më tutje. Edhe sikur vendimi të ish i ligjshëm, edhe sikur pra të kish një ligj që do t’i vinte televizionet para detyrimit për të transmetuar gjatë edicioneve informative lajme të përgatitura nga vetë partitë, ai ligj dhe ai vendim do duhej të shpërfilleshin po njësoj. Sikur të ekzistonte një ligj i tillë (ligjvënësi nuk ka guxuar të shkojë deri në këtë pikë), ai thjesht do duhej denoncuar, e më pas do duhej të mos zbatohej.
Do ishte kjo një thirrje për t’u ngritur kundër rendit legal? Jo, do ishte një thirrje për t’u ngritur kundër një ligji të tillë, që nuk ka pikën e kuptimit, e që është një atentat ndaj lirisë së shtypit, e ndaj deontologjisë së profesionit të gazetarëve. Mund të ndodhte që televizionet në këtë rast të ndëshkoheshin me sanksione, por me këtë KQZ-ja dhe padronët politikë të saj do të trashnin zullumin, dhe do të provokonin një zhurmë më të madhe, edhe ndërkombëtare. Nuk mund të penalizohet një ent apo entitet gazetaresk (i tillë është gjithë ditën e ditës televizioni) për faktin që nuk pranon informacion të pilotuar nga partitë politike. Aksioma më e parë, më e para fare, qysh nga kohët kur ka lindur gazetaria është: lajmet bëhen nga gazetarët. Sigurisht, në periudha e vende të ndryshme janë vënë re përpjekje e praktika që kanë synuar ta zhbëjnë këtë aksiomë (te ne, gjithashtu, në harkun e dy dekadave të fundit), por në botën demokratike apo gjysmë demokratike nuk ka ndodhur asnjëherë kjo që po ndodh tani.
Kam përshtypjen se televizionet që vënë në transmetim kasetat e partive e kanë thjesht si alibi vendimin e KQZ-së, ngaqë në të vërtetë janë ato vetë që, për hesape të tyret, duan ta bëjnë këtë lojë. Vendimi në fjalë i KQZ-së nuk është detyrues. KQZ-ja e ka bërë për të qenë detyrues, por nuk ka se si të jetë detyrues, pasi KQZ-ja nuk mund të urdhërojë televizionet se si të bëhen lajmet, nuk mund të ndalojë gazetarët të futen në mes të një tubimi elektoral e të shohë çfarë organizatorët nuk do donin që të shihej, nuk mund të ndalojë gazetarët të mos informojnë lidhur me një tubim, nëse në atë tubim nuk thuhet asgjë me interes për publikun, nuk mund të ndalojë gazetarët që të bëjnë një raportim me logjikë të plotë gazetareske etj., etj. KQZ-ja mund të kontrollojë televizionet se si e shpërndajnë kohën e edicioneve informative, por asgjë më shumë se kaq. Nëse KQZ-së ia jep truri të bëjë gjëra që s’i ka për tagër, le t’ia japë. KQZ-ja mund të çmendet vetë, por nuk mund të çmendë dynjanë. Aq më pak, gazetarët.
Një shënim i fundit: Ky vendim i KQZ-së është aq absurd, sa do të ishte ndonjë vendim tjetër, sipas të cilit kandidatët për deputetë duhet të paraqiten çdo mëngjes para KQZ-së, t’i thonë ‘mirëmëngjes’ Lefteri Lleshit, ta puthin dhe në faqe, e veç pastaj të shpërndahen nëpër qarqe. Lefteria mund ta gjejë ndonjë nen, ku të kapet për ta nxjerrë një vendim të tillë. Por puna është se nuk mund të arrijë deri këtu. Apo bëra gabim që ia shtira në mendje?
Top Channel