Karnavalet kanë pushtuar qendrën e qytetit të Korçës me personazhe nga më të ndryshmet.
Për të disatin vit radhazi, kllounët, shpatarët, kërcimtarët dhe personazhe të jetës së përrallave e asaj reale, kanë prezantuar numrat e tyre, duke gjallëruar qytetin.
Parada shumëngjyrëshe, këtë vit ka sjellë 35 grupe shqiptare dhe të huaja, ndërsa kryetari i Bashkisë, Niko Peleshi, ka vlerësuar pjesëmarrjen në këtë festë, e cila ruan traditën e qytetit.
“Ky vit është një kombinacion i tërë këtyre viteve, sepse numri i vizitorëve të ardhur nga Tirana kanë mbushur të gjitha hotelet e qytetit, një numër shumë herë më i madh i qytetarëve të Korçës kanë dalë sot në shesh. E veçanta është se ne, këtë vit kemi infrastrukturën shumë të përshtatshme për të organizuar karnavalet”, u shpreh Niko Peleshi.
Qytetarët, por edhe pjesëmarrësit, e kanë vlerësuar këtë aktivitet si më të veçantin e verës.
Karnavalet, që nga viti 2008, çelin sezonin turistik të qytetit të Korçës, në muajin qershor, duke i paraprirë festave të shumta, që organizohen nga Bashkia e qytetit, gjatë sezonit veror.
Top Channel