Skender Minxhozi – Në një intervistë e cila ka dalë sot në shtyp,
politikani dhe mjeku veteran Sabit Brokaj hedh edhe një herë në letër
një tezë që vërtitet prej vitesh në subkoshiencën e së gjithë shoqërisë
shqiptare. “Pluralizmi i vërtetë fillon me ikjen e Berishës”, shprehet
Brokaj.
Ai e shtjellon idenë e tij, duke nënvizuar natyrën arrogante të pushtetit që Berisha ka ndërtuar ndër vite, sa herë që është ulur në një poltron të lartë të shtetit.
Përtej fatit personal të Berishës, ajo që shohim sot, teksa fushata ka hyrë në fazën e saj dinamike, është realisht zbatimi i një stili drejtimi dhe i një koncepti për shtetin dhe ligjin, që janë hapur në kontradiktë me thelbin e një demokracie liberale kushtetuese, siç i cilëson Farid Zakaria demokracitë perëndimore.
Shteti që është sot në garë me kundërshtarin politik të majtë, është faktikisht një krijesë arrogante e totalisht shpërfillëse për rregullat e lojës, ligjet e Kushtetutën. Dje doli raporti paraprak i vëzhguesve të OSBE-ODIHR. Përdorimi i aktiviteteve shtetërore për fushatë, reklamat hileqare të ministrive për të darovitur në rrugë antiligjore mediat, vendimet e paligjshme të KQZ me listën e partive në fletën e votimit apo ekzistenca e 348 mijë votuesve nëpër listat zgjedhore pa një adresë të saktë, janë disa nga gjetjet e këtij raporti. Imagjinoni se çka ndodhur: vëzhgues që sapo kanë ardhur në vendin tonë, ulen e hartojnë një raport që, megjithëse sipërfaqësor e i përkohshëm, siç mund të jetë një raport paraprak, është tejet i qartë në leximin e diagnozave të fushatës elektorale të 23 qershorit. OSBE-ODIHR nuk i është dashur më shumë sesa disa javë, për të identifikuar faktikisht të gjitha problemet madhore të fushatës. Që do të thotë se nuk duhet ndonjë harxhim kushedi çfarë energjish, për të kuptuar listën e hileve dhe parregullsive të garës elektorale.
Zgjedhjet janë një moment kur demokracia shpërfaq tërësisht cilësinë e saj. Dhe ne ende nuk kemi bërë një palë zgjedhje ku fituesi dhe humbësi të kenë shtrënguar duart, pa e përplasur njëri-tjetrin dyerve të gjykatave, që më pas janë pasuar nga bojkote e kriza politike shumëvjeçare. Jo rastësisht pas proceseve elektorale më problematike ka qëndruar një qeveri e PD. Në vitet ‘90, ashtu si edhe në dekadën pasardhëse. Precedenti i zgjedhjeve lokale të vitit 2011, kur shteti u mobilizua për ta futur me çdo mënyrë Lulzim Bashën në zyrën e Edi Ramës, është një rekord tejet shqetësues, e që vlen edhe për këtë fushatë, ku sërish shteti po mobilizon energjitë e tij për të devijuar, për të blerë e vjedhur votat.
Korrupsioni elektoral i javëve të fundit na rreshton dëshpërueshëm në listën e vendeve të Kaukazit, aty ku demokracia ka ardhur si procedurë, por jo si praktikë. Mediat u lodhën së denoncuari përditë fakte të rënda të shkeljes së hapur të Kodit Zgjedhor e ligjeve në fuqi, që mbrojnë administratën, ushtarakët, punonjësit e arsimit e shëndetësisë, nga tallavaja e fushatave zgjedhore. E megjithatë aktualisht qeveria as që po përpiqet më që të bëjë “gjoja”, siç ndodhte në zgjedhjet e shkuara. Kjo mungesë totale kujdesi, qoftë edhe formal, për të shmangur ekspozimin dhe për të mos i hequr çdo cipë të mundshme zullumit elektoral, është veçanërisht domethënëse për qeverinë “Berisha”. Nuk ka asnjë dyshim se kjo thyerje e hapur e rregullave të garës elektorale, dëshmon stadin fundor të rënies së një mazhorance, që po përpiqet të kapet pas çdo objekti pluskues, në detin e trazuar ku ndodhet. Në vijim të kësaj strategjie të hapur dhunuese, Berisha ka harxhuar shumë energji për të kaluar një mesazh skandaloz tek opinioni publik. Teza e tij e shprehjes hapur të simpative partiake nga mësuesit, mjekët e nëpunësit e shtetit, nuk e kamuflon aspak atë që ai po përpiqet të bëjë mesa mundet, së bashku me qindra e mijëra qelizat elektorale të partisë së tij: skedimin e frikësimin të ushtrisë së madhe të rrogëtarëve të shtetit, me qëllim devijimin sa më të madh të votës së tyre e të familjarëve të tyre. Skema e vënies në rresht të nëpunësve, për t’u paraqitur në zyrat elektorale të PD në lagjet ku banojnë, është vetëm njëri ndër aspektet vulgare të dhunës politike që po ushtron qeveria aktuale mbi aparatin shtetëror në zgjedhje. Prej javësh, të gjitha energjitë logjistike, njerëzore e financiare të institucioneve të shtetit, janë vënë në shërbim të fushatës. Ndërmarrjet e shërbimit ngjisin postera e vendosin flamuj në shtylla, drejtorë e shefa gjithfarësh hartojnë lista me “të kuq” e “blu”, deri edhe burgjet me të burgosurit brenda janë kthyer në gjah fushate.
Sot po garon një panel opozitar, i shpërndarë majtas, në qendër e djathtas, me një koalicion qeveritar, i cili de facto është vetë shteti. Koncepti i partisë-shtet po na shfaqet në çdo cep të Shqipërisë, në formën e tij më të shëmtuar. Diku me ahengje e shirita rrugësh të pambaruara, diku me presione mbi biznese të vogla e të mëdha, diku me kërcënime për pushime nga puna apo me blerje votash.
Ndërkohë opozita vazhdon për hesap të vet fushatën e saj, duke shpërfillur (edhe një herë) rrezikun mbi të cilin po shkel me hap të shkujdesur. Duket se koalicioni opozitar ndihet shumë i kënaqur e euforik nga rezultatet e sondazheve paraprake, që e nxjerrin fitues. Seç të le shijen e diçkaje të njohur, kjo sjellje e së majtës shqiptare. Të diçkaje që katër vjet më parë, prodhoi mandatin e dytë të Berishës. Jo mandatin e parë të Ramës…
Top Channel