Mediu, takime në Tropojë

08/06/2013 00:00

Në një takim me banorë të qytetit të Tropojës, kryetari i Partisë
Republikane Fatmir Mediu kërkoi të votojnë  numri 45 për të vazhduar
zhvillimin e vendit me koalicionin e djathtë.

“Të dëgjosh Edi Ramën, si mund të pretendojë ky njeri që mund të përfaqësojë shtetin shqiptar, kur nuk beson në qytetarët e vet, kur nuk beson në institucionet e veta? Votoni Partinë Republikane, numrin 45”, tha Mediu.

Kreu i republikaneve u takua me investitorë italianë në një ‘call center’, ku premtoi lehtësira për biznesin e huaj dhe vendas.

Topi: PD, presion për votë

Në një takim me banore të njësisë bashkiake numër 5 në Tiranë, kreu i FRD Bamir Topi theksoi presionin e Qeverisë ndaj punonjësve të administratës.

“Pavarësisht që mund të jenë me asnjë parti, i detyrojnë që të shkojnë tek seksionet e partisë në pushtet për t’i detyruar ata me zor që të krijojë idenë sikur njerëzit janë shtuar dhe nuk janë pakësuar”, tha Topi.

Në një tjetër takim në njësinë bashkiake Topi kërkoi votën duke u kujtuar se si Berisha ka mbërthyer te gjitha pushtetet ne doren e tij.

Milo, takime në zonën e Dajtit

Paskal Milo, kreu i Partisë Demokracia Sociale u takua me simpatizantë të partisë së tij në Komunën Dajt në Tirane ku theskoi se PDS  karakterizohet nga politika konstruktive.

“Jeta politike në Shqipëri vetë qeverisja e ardhshme e Shqipërisë, kërkojnë forca politike konstruktive të ekuilibruara që në vend të nxisin konflikltin, të nxisin dialogun, në vend që të përpiqen të ngjallin urrejtje të ngjallin mirëkuptim midis njerëzve”, tha Milo.

PD: Rama do të falimentojë biznesin

Kryetari i grupit të punës për qarkun e Durrësit Eduart Halimi, së bashku me kandidatin Oerd Bylykbashi dhe Igli Carën takuan banorët e lagjeve të Durrësit.

Gjatë fjalës së tij Halimi tha: “Ai tjetri që lëviz me autobus, kërkon të anullojë të gjitha konçensionet, thotë nën zë se do aplikojë taksimin e Italisë dhe Francës për biznesin, pra 74 %-in dhe kjo nuk do të bëjë gjë tjetër veçëse do ta falimentojë biznesin dhe do të sjellë bllokimin e punësimit”- tha Halimi. Ai e cilësoi taksën e sheshtë si taksimin më të drejtë për çdo qytetar shqiptar i cili taksohet me 10% sipas të ardhura të veta, pra, nuk është e vërtetë theksoi Halimi përpara qytetarëve durrsakë, se shqiptarët nuk taksohen njësoj.Në emër të programit të partisë Demokratike, Halimi u premtoi qytetarëve shtrimin e çdo centimetri rrugë duke shprehur besimin e plotë se shqiptarët do të votojnë djathtas.

Patozi: Rama, një aventurier
 
Duke kërkuar votat për Partinë Demokratike, numri dy i të djathtëve Astrit Patozi u shpreh në Vlorë se Rama dhe Partia Socialiste janë aventurë, ndaj cdo shqiptar duhet të ecë përpara me Partinë Demokratike.

Patozi tha se 8 vite më parë Vlora nuk pati asnjë investim.

“Ne në këto vite e kemi më të lehtë që ta mbyllim historinë e halleve të vogla për cdo qytetar shqiptar, që të mos kemi më probleme me ujësjellësa kanalizime, energjie elektrike, me shkolla”, tha Patozi.

Top Channel