Shefi i spiunazhit amerikan, James Clapper ka mbrojtur programet përgjuese të qeverisë, pas publikimit të lajmit për mbledhjen e regjistrimeve telefonike dhe mbikëqyrjes së shërbimeve online.
Ai tha se zbulimi i një dokumenti sekret gjykate që autorizonte mbledhjen e të dhënave telefonike kërcënon të shkaktojë një “dëm të pariparueshëm”.
“Publikimi i lajmit për një program që thuhet se përgjon serverat e nëntë kompanive të internetit ishte një veprim i dënueshëm”, deklaroi Clapper.
Nga ana e tyre, kompanitë e internetit mohojnë t’u kenë dhënë agjencive qeveritare akses në serverat e tyre.
Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë tha se, siguron qytetarët amerikanë se shërbimet sekrete janë të angazhuara për respektimin e lirive civile dhe privatësinë e tyre.
Ai e bëri deklaratën e tij pasi gazeta britanike “The Guardian” publikoi se një urdhër sekret i dhënë nga gjykata i kërkonte kompanisë telefonike “Verizon” që t’i dorëzonte regjistrimet e saj Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, NSA, në bazë të nevojave të saj.
Lajmi në fjalë u pasua nga lajme të tjera në “Washington Post”, që sugjeronin se agjencitë amerikane të sigurimit përgjonin direkt serverat e nëntë kompanive të internetit për të gjurmuar përdoruesit, përmes një programi të njohur me emrin Prizmi.
Lajmet për Prizmin pritet të ngrenë pikëpyetje se sa larg duhet të shkojnë agjencitë qeveritare amerikane në shkeljen e privatësisë së qytetarëve për interesa të sigurisë kombëtare.
Top Channel