Kombet e Bashkuara lëshuan kërkesën më të madhe financiare në histori për t’u ardhur në ndihmë viktimave të konfliktit sirian.
5 miliard dollarë është shuma e kërkuar nga organizata dhe strukturat e tjera në varësi të saj për t’i ardhur në ndihmë popullsisë siriane. Sipas parashikimeve, rreth 10 milion persona në Siri do të kenë nevojë urgjente për ndihmë humanitare në fund të këtij viti nëse konflikti vazhdon me të tilla ritme.
Agjencia e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të fëmijëve, UNICEF bëri me dije se 4 milion fëmijë siriane kanë nevojë urgjente për ndihmë.
Në raportin e OKB-së, kritikohen qeveritë për ngurimin e tyre në dhënien e fondeve për të përballuar krizën humanitare siriane, duke mos përmbushur objektivin për të siguruar 1.5 miliard dollarë në gjashtë muajt e parë të këtij viti.
Aktualisht 1.5 milion sirianë, kryesisht gra dhe fëmijë kanë braktisur vendin dhe janë strehuar në kampet e refugjatëve të ngritura nga OKB në vendet fqinje, së shumti në Turqi dhe Jordani. OKB thotë se ky numër pritet të shkojë në 3.5 milion në fund të vitit.
Komisioneri i Lartë për Refugjatët i UNHCR-së, Antonio Guterres tha në një konferencë për shtyp se kampet e të zhvendosurve presin cdo ditë 7 mijë persona që i largohen konfliktit.
Nga ana tjetër, UNICEF flet për “një gjeneratë të humbur” të popullsisë siriane dhe parashikimet nuk janë aspak optimiste, sepse sic thuhet në raport, edhe sikur konflikti të përfundojë sot, Siria dhe qytetarët e saj do të duan vite të tëra për të rimarrë veten.
Top Channel