Të paktën 42 persona kanë vdekur në qytetin e Ksiamenit, në Kinë, pas përfshirjes së një autobusi nga flakët, bëjnë të ditur mediat kineze në edicionet e tyre online.
Sipas burimeve, incidenti ndodhi gjatë pasdites së të premtes, në orën e pikut, në 18:30 me orën lokale. Mbi 30 persona të tjerë mbetën të plagosur pasi zjarri ra në pjesën e fundit të autobusit për shkaqe ende të panjohura, kanë thënë autoritetet.
Autobusi ishte nisur nga sistemi i transportit të Ksiamenit, ku autobusët udhëtojnë në korsi të ngritura mbi qendrën e qytetit. Një zyrtar lokal ka deklaruar për agjencinë “Xinhua” se trupa të pajetë ishin bërë pirg brenda në autobus.
Foto të publikuara nga agjencia e lajmeve “Xinhua” tregojnë flakë që vijnë nga një seksion i ngritur i sistemit dhe autobusin e shkrumbuar. Foto të tjera të publikuara në rrjetet sociale tregojnë persona të plagosur me djegie në trup dhe rroba të gjakosura.
Qyteti Ksiamen ndodhet në provincën e Fuxhianit, në jug-lindje të Kinës dhe ka një popullsi mbi 3 milionë banorë. Sistemi i tij i autobusëve ekspres u ndërtua në vitin 2008 dhe autobusët lëvizin zakonisht në orët e pikut.
Top Channel