Erdogan përplaset me BE

07/06/2013 00:00

Turqia duhet të hetojë përdorimin e tepruar të forcës nga policia ndaj protuestuesve anti-qeveritarë, ka deklaruar një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian.

Komisioneri për Zgjerimin, Shtefan Fule e bëri këtë deklaratë në Stamboll, në prag të bisedimeve mbi ambicjen e Turqisë për t’iu bashkuar Unionit.

“Duhet të bëhet një hetim i shpejtë dhe transparent dhe ata që janë përgjegjës duhet të japin llogari”, deklaroi Fule në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Taip Erdogan.

Fule tha se, BE nuk ka ndërmend të heqë dorë nga projekti i Turqisë për t’iu afruar BE-së, por shtoi se vendi duhet të ruajë vlerat e lirisë dhe të drejtat themelore të njeriut.

“Protestat paqësore janë një e drejtë legjitime e qytetarëve për të shprehur pikëpamjet e tyre në një shoqëri demokratike. Dhe në një demokraci të tillë përdorimi i forcës nga policia ndaj demonstruesve nuk ka vend”, theksoi komisioneri.

Si përgjigje kryeministri Erdogan akuzoi BE-në për aplikimin e standarteve të dyfishta, duke thënë se në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara janë përdorur metoda të ngjashme.

Turqia ka përjetuar një javë protestash civile të shkaktuara nga një ndërhyrje e forcave të rendit në një protestë të vogël në lidhje me një park të Stambollit.

Më herët, edhe kancelarja gjermane Angela Merkel i bëri thirrje Turqisë që të heqë dorë nga dhuna ndaj protestuesve.

Qeveria turke është në dijeni të përdorimit të tepruar të dhunës ndaj protestuesve, që kundërshtojnë prishjen e parkut Gezi në Stamboll.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA