Për herë të parë drejtësia shqiptare u përball me denoncimin e prindërve të një fëmije 4-vjeçar, të cilët pretendonin se edukatorja kishte çjerrë me thonj në pjesën e nofullës djalin e tyre për shkak se ai kishte refuzuar të flinte.
Alma Toska, edukatorja e një kopshti shtetëror në kryeqytet, po përballet prej disa muajsh me akuzën e keqtrajtimit të të miturve në Gjykatën e Tiranës. Rasti, i pari në llojin e tij që përfundon në gjykatë, u denoncua në dhjetor të vitit të kaluar nga prindërit e 4-vjeçarit.
Pas ekspertizës mjeko-ligjore e cila konfirmoi pretendimet se djali ishte kapur fort me thonj në pjesën e nofullës dhe në bazë të provave të tjera shtesë, Prokuroria ngriti akuzën ndaj edukatores.
Denoncimi duket se thelloi dhe më tepër përplasjen mes familjes dhe kopshtit shtetëror e tashmë do të jetë gjykata ajo që do të thotë fjalën e fundit në të gjithë këtë histori.
…
Duket se mentaliteti shqiptar se “nëse shpullë i bën mirë fëmijës” po zbehet dita-ditës. Nëse përgjatë viteve të shkuara ndonjë shuplakë apo tërheqje veshi ishin mëse të lejuara nga prindërit kur ato përdoreshin në ambiente kopshtesh apo shkollash nga edukatoret dhe mësueset, tashmë paraqitet një tjetër panoramë. Vitet kur shoqëria shqiptare e pranonte disiplinimin e fëmijëve me anë të dhunës kanë mbetur larg. Në rast se fëmija, nipi apo mbesa qëllohet në këto ambiente, prindërit dhe gjyshërit do të mbanin një tjetër qëndrim.
“Nuk ushtrohet dhunë kur fëmija është shumë i vogël. Duhet shikuar rasti në fjalë dhe duhen sqaruar gjërat”, thonë disa nga prindërit e intervistuar.
Por çfarë parashikon Kodi Penal për këdo që keqtrajton të miturit? Në nenin 124/b të tij thuhet se “keqtrajtimi fizik ose psikologjik i të miturit nga prindërit, motra, vëllai, gjyshi, gjyshja, kujdestari ligjor ose çdo person që është i detyruar të kujdeset për të, dënohet me burgim nga tre muaj gjer në dy vjet”.
Top Channel