Irak, 1 mijë të vrarë vetëm në maj

01/06/2013 00:00

Është të paktën 1 mijë të vdekur dhe rreth 2.400 të plagosur vetëm për muajin maj bilanci i valës së dhunës në Irak.

Të dhënat vijnë nga Kombet e Bashkuara, që e vlerëson në pothuajse 2 mijë numrin e viktimave që nga rifillimi dhe intensifikimi i akteve të dhunës në muajt e fundit.

Dy ditë më parë, një valë shpërthimesh la të vrarë të paktën 30 veta, 16 prej të cilëve në Bagdad, ndërsa pjesa tjetër në disa prej qendrave të tjera kryesore urbane të vendit.

Ndonëse dhuna në Irak mbetet larg nivele kulmore të viteve 2006-07, pas tërheqjes së trupave amerikane dhe atyre të koalicionit në dhjetor 2011 vendi i Lindjes së Mesme ka përjetuar një përshkallëzim të dhunës fetare.

Për Irakun, një shtet me 31 milionë banorë, po rezulton problematike ndarja fetare dhe etnike e popullsisë. Në vend, sipas statistikave, 60% e popullsisë janë shiitë, rreth 35% sunitë dhe 5% tjetër të krishterë apo anëtarë të besimeve të tjera. Ndërsa etnia është e ndarë në 75% arabë, 20% kurdë, asirianë, turkomanë dhe të tjerë me rreth 5%.

Përleshjet në rritje me bazë urrejtjen ndërfetare dhe ndëretnike, sipas ekspertëve, po vënë në rrezik edhe vetë ekzistencën e shtetit, pasi Iraku është gjithmonë e më i kërcënuar nga një luftë e mirëfilltë civile nëse nuk merren masa të menjëhershme për të rikthyer rendin në vend.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA